Ndërlidhjet

Sejdiu: Strukturat paralele të shuhen menjëherë



Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shprehur shqetësimet e tij, në veçanti për veprimet e fundit të Serbisë, që paraqesin investim të drejtpërdrejtë në strukturat paralele dhe në aktivitetet e tyre ilegale.

Këto komente, Sejdiu i bëri gjatë një takimi me shefin e EULEX-it, Iv de Kermabon dhe zëvendës-shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Fleçer Burton, me të cilët diskutoi për veprimet e vazhdueshme të Serbisë, nëpërmjet strukturave paralele, të cilat kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Në një komunikatë për opinion, të lëshuar nga kabineti i presidentit, thuhet se zoti Sejdiu, “duke kundërshtuar vendimin e fundit të Serbisë për emërimin e gjyqtarëve për të punuar në gjykatat paralele në Kosovë, presidenti theksoi se Republika e Kosovës ka një sistem të vetëm dhe unik gjyqësor dhe çfarëdo tentimi për ta cenuar atë është absolutisht i papranueshëm dhe kundërligjor”.

Presidenti Sejdiu ka kërkuar mbështetje nga EULEX-i dhe Zyra Civile Ndërkombëtare që “të ndërmerren masa urgjente për shuarjen e strukturave paralele dhe parandalimin e veprimeve të tjera destruktive të Beogradit”.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisaarit, që përfshin edhe shuarjen e menjëhershme të strukturave paralele. Është obligim i të gjitha institucioneve të Kosovës që në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura për ta realizuar këtë obligim”, citohet të ketë thënë presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një komunikatë për opinion.

Presidenti Sejdiu çmoi bashkëpunimin me EULEX-in duke shprehur gatishmërinë e thellimit të këtij bashkëpunimi në të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
XS
SM
MD
LG