Ndërlidhjet

Haiti u godit nga tërmeti i fuqishëm


Përpjekjet ndërkombëtare për ta ndihmuar Haitin po vazhdojnë, pasi ka shqetësime se qindra njerëz mund ta kenë humbur jetën nga tërmeti i fuqishëm me intensitet 7 shkallë të Rihterit.

Shtetet e Bashkuara, Franca, Kanadaja, qeveritë në Amerikën Latine dhe organizatat humanitare i kanë shpallur planet për dërgimin e ndihmave dhe të fondeve në këtë ishull pas dridhjes masive.

Tërmeti, me epiqendër afër kryeqytetit Porto-o-Prens, ka shkatërruar ose ka dëmtuar seriozisht shumë ndërtesa, në mesin e tyre edhe pallatin presidencial të Haitit, selinë e misionit paqësor të Kombeve të Bashkuara, zyrat e Bankës Botërore dhe ndërtesa të tjera.

Ekipet e shpëtimit kanë filluar të kërkojnë për personat që eventualisht janë zënë nga gërmadhat, ndërsa ka shqetësime se mijëra njerëz kanë mbetur pa kulm mbi kokë.

Presidenti amerikan, Barak Obama, nëpërmjet të një kumtese, tha se bashkëndjenë me njerëzit në Haiti dhe se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë këtë vend në përpjekjet për ripërtritje.

Instituti amerikan për gjeologji njoftoi se pas tërmetit kryesor edhe dy tërmete të tjera me intensitet 5,9 dhe 5,5 shkallë e kanë goditur Haitin.

Haiti i ka nëntë milionë banorë dhe është njëri nga vendet më të varfëra në Hemisferën Perëndimore.
XS
SM
MD
LG