Ndërlidhjet

Maliqi: Riformatizimi i qeverisë - i domosdoshëm


Shkëlzen Maliqi
Shkëlzen Maliqi

"Kjo ka qenë ndoshta e domosdoshme edhe më herët të bëhet, sepse në disa segmente kjo qeveri nuk ka qenë krejt funksionale", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, analisti Shkëlzen Maliqi.








RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maliqi, një problem që u bart nga viti 2009 në 2010-ën, është procesi zgjedhor në tri komuna të Kosovës, përkatësisht zvarritja e vendimit për Gjilanin. Si e shihni këtë çështje?

SHKËLZEN MALIQI
Të them të drejtën, është një komplikim, që më shumë më duket se vjen nga presioni që u bëhet këtyre organeve që vendosin për certifikimin e zgjedhjeve, sesa që është çështje e saktësisë së numërimit ose të vetë procesit të votimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se pas përfundimit të balotazhit mund të ketë ndryshime në qeveri. Cili mendoni se në fakt është qëllimi i këtij, siç po e quajnë, rifreskimi?

SHKËLZEN MALIQI
Kjo ka qenë ndoshta e domosdoshme edhe më herët të bëhet, sepse në disa segmente kjo qeveri nuk ka qenë krejt funksionale dhe ndoshta, që nga fillimi, ka qenë nevoja që të kemi një qeveri me program të qartë, taksative, ku merren obligimet dhe realizohen për atë afatin dyvjeçar ose katërvjeçar në këtë rast.

Domethënë, kjo tash është diçka që është paralajmëruar. Ende nuk i dimë përmasat, formatin se si do të jetë. Por, unë vetë shpresoj dhe mendoj se, nëse bëhet rikonstruimi, ai duhet të bëhet në baza programore.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërsa qeveria flet për riformatizim, opozita kërkon zgjedhje të parakohshme. Mendoni se do të ketë këtë vit zgjedhje të tilla?

SHKËLZEN MALIQI
Zgjedhjet mund të mbahen nëse dy partnerët kryesorë nuk arrijnë një pajtim tash për negociatat për vetë qeverinë, ose nëse komplikohen punët në raportet mes PDK-së dhe LDK-së (Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës). Por, nuk shoh se do të ndryshojë diçka esenciale në raportin e forcave.

Mund të ketë dikush kalkulime dhe spekulime se për 5-6 muaj, ndonjë koalicion i ri edhe zgjedhor, për shembull mes LDK-së dhe AAK-së, mund të sjellë ndryshimin. Por, atëherë, edhe PDK-ja ka gjasa që të lidhë koalicion me AKR-në ose partitë e tjera të vogla.

Kështu që, zgjedhjet e nëntorit kanë treguar se vota është përafërsisht aty ku ka qenë edhe më 2007-ën, pos që e kemi një rritje të AAK-së dhe një rënie të LDD-së dhe AKR-së.

Por, në esencë mund të ndodhë që edhe pas atyre zgjedhjeve, do të kemi situatën e njëjtë, që do të jetë i domosdoshëm koalicioni në mes të PDK-së dhe LDK-së.

Do të kishim dëme materiale, politike, ngecje, nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme. Por, disa janë të padurueshëm, sidomos zoti Haradinaj nga AAK-ja, që përmes votave ta kthejnë situatën, por nuk besoj se kjo mund të ndodhë për afate të shkurtra.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë vazhduan edhe në këtë fillim-vit, me emërimin e gjyqtarëve serbë, si dhe ndarjen e miliona eurove për strukturat paralele. Sa janë reale gjasat për zhbërjen e këtyre strukturave, marrë parasysh deklaratat e autoriteteve kosovare, por edhe atyre ndërkombëtare?

SHKËLZEN MALIQI

Pengesa kryesore është që vetë strukturat e EULEX-it edhe ato mbetjet e UNMIK-ut nuk e kanë atë efiçiencën ose ende lejojnë që Serbia t’i marrë këto masa.

Serbia, natyrisht, vazhdon politikën e vet, por problemi është se nuk kemi konsensus ose vendimmarrje më të vendosur nga faktori ndërkombëtar, që pjesa veriore e Kosovës, në përgjithësi enklavat të bëhen pjesë e Kosovës.

Në këto enklavat e brendshme, edhe në zgjedhjet e fundit, e pamë se procesi po shkon në atë drejtim, por veriu është ende praktikisht i shkëputur ose vazhdon nën kontrollet e institucioneve paralele. Por, besoj se edhe atje po zbehet.

Proceset që tash po zhvillohen në Bashkimin Evropian, aplikimi i Traktatit të Lisbonës, ndërrojnë pak vendimmarrjen në Evropë dhe këto pesë shtete që bllokojnë instalimin e plotë të EULEX-it në të gjitha funksionet, mund të tejkalohen si pengesë gjatë këtij viti.

RADIO EVROPA E LIRË
Është përmendur nga autoritetet e Prishtinës edhe përdorimi i forcës si një mundësi për zhbërjen e strukturave paralele. Mendoni se mund të ndodhë një gjë e tillë, marrë parasysh se këto struktura ekzistojnë që 10 vjet dhe forcë nuk është përdorur?

SHKËLZEN MALIQI
Varet se në çfarë kuptimi është menduar forca. Por, domethënë, të hyhet me forcë në institucione. Nuk mendohet të fillohet njëfarë lufte e madhe, por ndoshta një ndërhyrje ose marrja e objekteve nga ana e Policisë së Kosovës.

Por, gjithnjë në bashkëpunim me EULEX-in dhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila në letër dhe kështu zotohet se ajo pjesë është pjesë e Kosovës, duhet të integrohet në Kosovë, por ka ende mirëkuptim jo vetëm për kërkesat e serbëve në Kosovë, por edhe për regjimin e ri demokratik, i cili nuk është stabil sa duhet, dhe gjithnjë faktori ndërkombëtar ka konsiderata që proceset në Kosovë të mos destabilizojnë Serbinë.
XS
SM
MD
LG