Ndërlidhjet

Obama: SHBA do ndihmojë viktimat nga tërmeti në Haiti



Presidenti Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara do t’i ndihmojnë në çdo mënyrë viktimat nga tërmeti katastrofik që goditi Haitin.

“E kam udhëzuar administratën time që të përgjigjet me veprime të menjëhershme, të koordinuara dhe agresive për të mbrojtur jetët. Populli i Haitit do ta ketë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara në përpjekjen urgjente për t’i shpëtuar ata që kanë mbetur nën rrënojat, si dhe për t’u dërguar ndihma, ushqim, ujë dhe barëra haitianëve në ditët e ardhshme”, tha Obama.

Presidenti tha se ekipet amerikane të shpëtimit do të arrijnë në Haiti sot pasdite dhe gjatë natës.

Tërmeti i fuqishëm prej 7 shkallë të Rihterit e ka shkatërruar një pjesë të madhe të kryeqytetit Port-o-Prince.

Presidenti i Haitit Rene Preval tha se numri i të vdekurve mund të jetë mbi 100 mijë.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun tha se në Haiti do të nevoiten përpjekje të mëdha humanitare dhe situatën e përshkroi si “emergjencë më të madhe humanitare”.
XS
SM
MD
LG