Ndërlidhjet

Ndihmat ndërkombëtare janë nisur drejt Haitit



Ndihmat ndërkombëtare kanë filluar të mbërrijnë në Haiti, ku dhjetra mijë njerëz druhet se kanë vdekur nga tërmeti i fuqishëm i së martës.

Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Britznaia janë ndër vendet që dërguan ekipe të shpëtimit dhe furnizime.

Presidenti Barak Obama premtoi ndihmën maksimale të Shteteve të Bashkuara.

“E kam udhëzuar administratën time që të përgjigjet me veprime të menjëhershme, të koordinuara dhe agresive për të mbrojtur jetët. Populli i Haitit do ta ketë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për t’i shpëtuar ata që kanë mbetur nën rrënojat, si dhe për t’u dërguar ndihma, ushqim, ujë dhe barëra haitianëve në ditët e ardhshme”, tha Obama.

Sekretarja e Shtetit Hillari Klinton dhe Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts i kanë shkurtuar apo anuluar disa udhëtime për t’u marrë me krizën.

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar tha se rreth 3 milionë haitianë, apo një e treta e popullsisë mund të kenë nevojë për ndihma emergjente.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun tha se 10 milionë dollarë do të dërgohen menjëherë nga trupi më i lartë i botës.

Kombet e Bashkuara thonë se 16 punonjës të misionit paqëruajtës e kanë humbur jetën.

Shifrat pritet të rriten ndërsa ekipet e shpëtimit po i kërkojnë të mbijetuarit në gërmadhat e ndërtesës shtatë katëshe të misionit në Port-o-Prince.

Tërmeti i fuqishëm prej 7 shkallë Rihter, më i rëndi në 200 vitet e fundit, shkaktoi shembjen e shumë ndërtesave në këtë vend të Karaibeve.
XS
SM
MD
LG