Ndërlidhjet

Prishtinë: Marti u takua me ministren Kelmendi


Dik Marti, i dërguari i Këshillit të Evropës për akuzat e Serbisë se "Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë trafik organesh me serbë të burgosur gjatë konfliktit të vitit 1999", është takuar në Prishtinë, me ministren e drejtësisë së Kosovës, Nekibe Kelmendi.

Në njoftimin e kësaj ministrie, thuhet se në takim është biseduar për ndihmën që Këshilli i Evropës mund të japë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

“Misioni ynë nuk është hetues, kemi ardhur në Kosovë për t’i shikuar mundësitë për të ndihmuar, që familjarët e personave të zhdukur të informohen për fatin e njerëzve të tyre”, i tha Dik Marti ministres Kelmendi dhe ka theksuar se “ne e dimë se çfarë ka ndodhur në Kosovë në luftën e fundit, ashtu siç e dimë edhe për humbjen e burrit dhe djemve tuaj në këtë luftë, por një nga qëllimet kryesore të Këshillit të Evropës është garantimi i bashkëjetesës në paqe në mes të popujve, pa dallim kombi, feje dhe race”.

Dik Marti ka arritur mbrëmë në Kosovë, ndërsa për sigurinë e tij është duke u përkujdesur Policia e Kosovës.

“Për sigurinë personale të zotit Marti, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, është duke u përkujdesur Njësiti i Mbrojtjes së Afërt të Policisë së Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Agjenda e qëndrimit të Dik Martit në Kosovë nuk është bërë publike. Ndërsa, zëdhënësi i EULEX-it, Kristof Lamfalusi, ka thënë shkurt se “Dik Marti do të takohet me zyrtarët më të lartë të misionit evropian për rend dhe ligj dhe me persona të tjerë në Kosovë”.
XS
SM
MD
LG