Ndërlidhjet

DASH: Maqedonia përballë tensioneve ndëretnike e ndërfetare


Shkupi
Shkupi

Raporti i fundit i Departamenti Amerikan të Shtetit tërheq vëmendjen Maqedonisë për sfidat e vazhdueshme në lëmi të ndryshme gjatë vitit 2009, duke përfshirë implementimin jo të plotë të reformave në gjyqësi, tensionet ndëretnike dhe ndërfetare, mospërmirësimin e kushteve në burgje, si dhe mungesën e një ligji gjithëpërfshirës kundër diskriminimit.


Ministri Drejtësisë së Maqedonisë, Mihajlo Manevski, thotë për Radion Evropa e Lirë se ende nuk ka arritur ta lexojë raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, andaj distancohet nga çfarëdo komenti.

Ndërkohë, sa u përket vërejtjeve të reformave në gjyqësor, përkundrazi, thekson numri një i dikasterit të drejtësisë, ato po realizohen sipas dinamikës së paraparë.

Ndryshe nga pushteti, partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë, vlerëson se vërejtjet janë më se objektive.

“Është koha e fundit që pushteti të vetëdijesohet dhe të angazhohet për zgjidhjen e këtyre problemeve, të cilat tashmë nuk janë vetëm vërejtje të opozitës, por vijnë nga niveli më i lartë diplomatik dhe pasqyrojnë objektivisht gjendjen në Maqedoni”,
thotë deputeti i LSDM-së, Gordan Gjorgjiev.

Ndërkaq, duke komentuar vërejtjet e theksuara në raportin e Departamentit të Shtetit për tensionimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare, partitë politike shqiptare, si ajo në opozitë, ashtu edhe ajo në pushtet, kanë fajësuar politikën diskriminuese që e udhëheq kryeministri Nikolla Gruevski.

“Paraqitja e njëanshme e antikvizimit të Maqedonisë nga ana e Qeverisë, problemet e shfaqura në arsim, me evidencën pedagogjike dhe mësimin e maqedonishtes për filloristët shqiptarë, janë indikacione, të cilat kanë shqetësuar në masë të madhe komunitetin shqiptar në Maqedoni”.

“Kjo situatë mund të tejkalohet, por nevojitet një mund dhe angazhim më i madh nga strukturat udhëheqëse të vendit”,
thotë deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrime, Safet Neziri.

Qëndrim të njëjtë mban edhe Demokracia e Re në opozitë.

“Raporti thekson edhe atë për çka ne, si parti, disa herë kemi alarmuar dhe kemi treguar qartë se tendenca e kësaj Qeverie për një politikë mono-etnike dhe mono-fetare nuk avancon asgjë në raport me integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike”.

“Përkundrazi, kjo politikë i përkeqëson marrëdhëniet edhe ashtu të brishta mes shqiptarëve dhe maqedonasve
”, thotë zëdhënësi i Demokracisë së Re, Arianit Hoxha.
XS
SM
MD
LG