Ndërlidhjet

Nabuko, në rrugë të mbarë


Marsi duket muaj i mbarë për Bashkimin Evropian, për sa i përket ecurisë së projektit Nabuko, të tubacioneve të gazit natyral.

Nabuko, që synon të sjellë 31 miliardë metra kub gaz natyral nga Kaspiani dhe Lindja e Mesme në Evropën jugore dhe qendrore, konsiderohet prej kohësh si një mundësi për BE-në, që të thyejë varësinë e rrezikshme nga gazi dhe tubacionet ruse.

Projekti, që shpesh ngecte për çështje financimi dhe mbështetjeje, tashmë duket se është në rrugën e duhur për të bërë dërgesën e parë në 2014-ën.

Momenti i ri nisi më 4 mars, kur Parlamenti turk ratifikoi një marrëveshje ndërqeveritare për tranzitin e Nabukos. Turqia ishte e fundit në pesë vendet e tranzitit, ku përfshihet Austria, Bullgaria, Hungaria dhe Rumania, që miratuan marrëveshjen për 3,300 kilometra tubacione.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i menaxhimit të projektit të Nabukos, Reinhard Mitshek, shpjegon rëndësinë e miratimit nga ana e Turqisë.

“Kjo marrëveshje mbarëqeveritare është një dokument me të vërtetë domethënës, sepse siguron një regjim ligjor të transportit përmes pesë vendeve”.

“Ka një kohëzgjatje prej 50 vjetësh, kështu që ofron rehati, siguri dhe besueshmëri për investitorët, për bankat dhe gjithashtu për transportuesit”,
thotë Mitshek.

Hezitimi i Turqisë para ratifikimit të marrëveshjes mund të ketë qenë për shkak të negociatave me Azerbajxhanin për çmimin, pasi tubacionet e Nabukos nisin në kufirin Gjeorgji-Turqi, prej nga lidhen me një tubacion ekzistues në Azerbajxhan.

Federiko Bordonaro, një lektor i çështjeve gjeopolitike në Universitetin e Romës dhe një autoritet mbi çështjet e energjisë, thotë se marrëveshja e kohëve të fundit mes Turqisë dhe Azerbajxhanit i dha fund hezitimit të Ankarasë për të ratifikuar marrëveshjen ndërqeveritare.

“Ajo që unë kuptoj, është se Ankaraja do të vendosë një taksë tranzite, por jo tarifë hyrjeje, për gazin që do të rrjedhë nga Shah Deniz në Azerbajxhan drejt Turqisë dhe më pas nga Turqia drejt zonës së Ballkanit dhe Bashkimit Evropian”, thotë Bordonaro.

Nisur nga dimri i vitit të kaluar, ku gazi drejt Evropës u bllokua për shkak të mosmarrëveshjeve Rusi-Ukrainë për çmimin, komisioni dha 1.5 miliard euro për projekte që synojnë përmirësimin e infrastrukturës së BE-së për energjinë.

Nabuko mori 200 milionë euro nga këto para dhe këtë muaj Komisioni Evropian shtoi dhe 2.3 miliardë euro në financimin e projekteve të energjisë për Evropën.

Mitshek thotë se Nabuko do të presë një kombinim shtesë të parave të gatshme.

“Ne po përqendrohemi në 200 milionë eurot financim. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me komisionin. Dua të nënvizoj se, në parim, financimi për projektin nuk është pengesë”, thotë Mitshek, duke shtuar se tenderi i parë për projektin do të nisë këtë verë.

“Po përgatisim një parakualifikim dhe procedurat e tenderit për disa zëra. Nga ana tjetër, ne gjithashtu po përgatisim hapjen e sezonit, për të ofruar kapacitet transporti për pjesëmarrësit e tregut”, thotë Mitshek, i bindur se projekti do të realizohet në kohë dhe me buxhetin e duhur. (A.Ç.)

XS
SM
MD
LG