Ndërlidhjet

Shtetësia e "kërkueshme" maqedonase


Pas miratimit të vendimit për liberalizimin e vizave për Maqedoninë, dukshëm është rritur numri i qytetarëve të dy vendeve fqinje, Shqipërisë dhe Kosovës, për t`u pajisur me shtetësi të Maqedonisë, bën të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski.

Ai gjithashtu thotë se nuk ka rënë aspak interesimi i qytetarëve të Maqedonisë për t`u pajisur me pasaporta biometrike, edhe pas kthimit të qytetarëve nga vendet e Bashkimit Evropian, të cilët kërkuan azil.

“Prej kur është miratuar vendimi për liberalizim të vizave për qytetaret e Maqedonisë, është shtuar numri i kërkesave për t`u pajisur me shtetësi maqedonase”.

“Numri më i madh i kërkesave është nga ana e qytetarëve të Kosovës, por karakteristike është rritja e numrit të kërkesave edhe nga qytetarët e Shqipërisë për t`u pajisur me shtetësi të Maqedonisë”
, thotë zëdhënësi i dikasterit të Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski, duke theksuar se është ende herët të flitet për atë se bëhet fjalë për një dukuri afatgjate apo dukuri që është karakteristike vetëm për këtë periudhë.

Ndryshe nga dikasteri i policisë, sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Abdylkader Mehmeti, thotë se “deri më tani, në dikasterin e diplomacisë nuk kanë arritur kërkesat për t’u pajisur me shtetësi maqedonase nga qytetarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë, si fazë finale e paraparë dhe me Ligjin për nënshtetësi”.

Ndërkaq, Ylber Sela, ligjërues i çështjeve evropiane në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thekson se bëhet fjalë për propagande joqëllimmirë të Qeverisë maqedonase, ngase, në këtë formë, autoritetet shtetërore, thotë ai, dëshirojnë ta justifikojnë faktin para faktorit ndërkombëtar, se pse më shumë se 10 për qind e popullatës shqiptare ende nuk është pajisur me dokumentet e shtetësisë.

“Duhet të thuhet qartë se diku 10% e popullatës shqiptare ende nuk është e pajisur me shtetësi maqedonase, edhe pse jeton 10, 20 ose 30 vjet këtu, mëson që nga shkolla fillore deri në arsimin e lartë. Ky është një shqetësim i madh dhe, para faktorit ndërkombëtar, pala maqedonase tenton me propagandë t`i refuzojë këto kërkesa”, thotë Ylber Sela.
XS
SM
MD
LG