Ndërlidhjet

Pragë: Studentët çekë nuk janë viktima të trafikimit të organeve


Tre studentë çekë, që në vitin 2001, ishin zhdukur në pjesën veriore të Shqipërisë, nuk janë viktima të trafikimit të paligjshëm me organe të njerëzve, ka thënë shefi i policisë kriminalistike të Çekisë, Jan Noga.

“I kemi vërtetuar të gjitha mundësitë, i kemi krahasuar informacionet dhe mostrat që i kemi, dhe nuk është vërtetuar se kemi të bëjme me tre personat e zhdukur”, i tha Jan Noga agjencisë ÇTK.

Këto komente u referohen pretendimeve të prokurorit të Serbisë për krime të luftës, Vlladimir Vukçeviq, në fund të vitit të kaluar, se ndër viktimat në “shtëpinë e verdhë” në Shqipëri ishin edhe tre shtetas të Çekisë.

Sipas policisë, të vetmit shtetas çekë, që evidencohen si të zhdukur në Shqipëri dhe në Kosovë, ishin këta tre studentë.

Raportohet se policia e Shqipërisë, me kërkesë të policisë së Çekisë, përsëri e ka hapur hetimin për zhdukjen e studentëve çekë dhe ka ofruar shpërblim për informacione eventuale.

Autoritetet në Kosovë dhe në Shqipëri i kanë hedhur poshtë akuzat e Serbisë lidhur me trafikimin e organeve të viktimave serbe nga pjesëtarët e UÇK-së në Kosovë, në veri të Shqipërisë.

Ky trafikim ishte përmendur në një libër të ish kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte.
XS
SM
MD
LG