Ndërlidhjet

Istog: Mbyllen vendvotime, pjesëmarrja 38.20 për qind



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë njoftoi se nga gjithsej 39 mijë e 307 votuesit potencialë të Istogut, deri në orën 19:00, kur edhe janë mbyllur kutitë e votimit, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 15 mijë e 14 votues, apo 38.20 për qind e votuesve.

Florian Dushi, kryesues i përkohshëm i KQZ-së, e vlerësoi pozitiv procesin zgjedhor në komunën e Istogut.

“Procesi përgjithësisht nga KQZ-ja është vlerësuar si proces i rregullt. Ka pasur disa incidente që i ka raportuar edhe Policia e Kosovës, që, për fat, kanë qenë jashtë qendrave të votimit dhe për të cilat ne konsiderojmë se nuk kanë pasur ndonjë ndikim në mbarëvajtjen e zgjedhjeve”, tha Dushi.

Nga 15 qendra të votimit me 55 vendvotime, vetëm një nuk është hapur në fshatin Osojan, bënë të ditur zyrtarë të KQZ-së.

Kryesuesi i KQZ-së, Dushi, ka shpjeguar se gjatë ditës kishin dërguar një ekip mobil për qytetarët serbë për të votuar, por, siç ka thënë ai, asnjë nga qytetarët nuk ka votuar.

Ndërkohë, në intervalin kohor prej orës 23:00 e deri rreth orës 24, KQZ-ja pritet të japë rezultatet preliminare për zgjedhjet në Istog.
XS
SM
MD
LG