Ndërlidhjet

Jeremiq: Prishtina të marrë pjesë sipas rezolutës 1244


Pjesëmarrja e Kosovës në tubimet ndërkombëtare rajonale duhet të jetë sipas rezolutës 1244, e përsëriti sot qëndrimin e Serbisë, ministri i jashtëm, Vuk Jeremiq.

“Konsiderojmë se zëri i Prishtinës duhet të dëgjohet në organizatat ndërkombëtare të karakterit rajonal, ku është dëgjuar edhe para shpalljes së njëanshme të pavarësisë, por pjesëmarrja e Prishtinës duhet të jetë në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, duke e respektuar plotësisht rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha Jeremiq, raportojnë agjencitë beogradase.

Këto komente ai i bëri sot në Beograd, pas takimit me ministrin e jashtëm të Spanjës, Migel Angel Moratinos, i cili theksoi se presidenca e radhës e Spanjës në Bashkimin Evropian, “është e bindur se konferenca në Sarajevë do të arrijë sukses të plotë”.

Sipas tij, takimi ministror në Sarajevë, në muajin qershor, “do të jetë pikë kthese në aspektin e angazhimit evropian në hapësirën e Ballkanit perëndimor”.
XS
SM
MD
LG