Ndërlidhjet

Rasmusen: NATO duhet të mbajë kapacitetin bërthamor



Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s e mbajnë në Talin një takim dy ditor. Temë diskutimi janë mbrojtja raketore, marrëveshja SHBA- Rusi për çarmatimin bërthamor dhe ndikimi i saj në raportet mes NATO-s e Moskës.

Në agjendë është edhe transferimi i përgjegjësisë për sigurinë te forcat afgane në Afganistan.

Para takimit, sekretari i përgjithshëm, Anders Fog Rasmusen tha se NATO-ja duhet t’i mbajë aftësitë bërthamore dhe se nevoitet zhvillimi i një mburoje të përbashkët kundër raketore për mbrojtjen e aleatëve.

“Ajo që na duhet është zbrapsja bërthamore. Ne duhet të punojmë për një botë pa armatim bërthamor. Unë e ndaj këtë vizion, por ne duhet ta mbajmë kapacitetin bërthamor për aq kohë sa regjimet e dështuara apo grupet terroriste mund të përbëjnë kërcënim bërthamor për neve. Për këtë arsye, na nevoitet një sistem i besueshëm i mbrojtjes raketore, që do t’i mbulonte të gjithë aleatët”, tha Rasmusen.

Ai tha se NATO-ja është e gatshme të mbetet në Afganistan “për aq sa duhet” për të arritur stabilitetin.

Liderët e NATO-s do takohen në Lisbonë në nëntor për ta hartuar strategjinë e re të aleancës, ndërsa takimi i sotëm i ministrave të jashtëm në Estoni synon t’a fillojë debatin mbi çështjen kryesore.

Ministrat gjithashtu pritet të diskutojnë çështjen nëse Bosnja ka bërë sa duhet për ta merituar anëtarësimin në Planin Aksional të Anëtarësimit në NATO.
XS
SM
MD
LG