Ndërlidhjet

Zallq: Fëmijët hodhën gurë


Fshati Zallq
Fshati Zallq

Hedhja e gurëve mbi tendat e serbëve të kthyer në Zallq të Istogut, sipas Policisë së Kosovës, është kryer nga disa fëmijë të këtij fshati. Ndërsa të kthyerit serbë që jetojnë në tenda, refuzojnë të flasin për incidentin, udhëheqësit e Istogut inkurajojnë kthimin. Ministri i Kthimit, Sasha Rashiq, lavdëron Istogun si komunën më të suksesshme sa i përket kthimit.


Ai që u cilësua si sulm ndaj të kthyerve serbë në Zallq dhe që u dënua ashpër nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, sipas Policisë së Kosovës, është në të vërtetë një veprim i kryer nga fëmijët.

Nga data 19 deri më 22 prill, policia është informuar për raste të sulmit me gurë, tri herë në tenda dhe një herë mbi një autobus, i cili ka bartur të kthyerit serbë. Zëdhënësi i policisë rajonale në Pejë, Xhevat Ibra, thotë se nga hetimet është arritur përfundimi se gurët janë hedhur nga disa fëmijë.

“Meqenëse kishte edhe protesta të popullatës vendore të këtij fshati për moskthimin e serbëve të inkriminuar në krime të luftës, fëmijët e frustruar të B.K. nga fshati Zallq filluan të hedhin gurë në vendet, ku tani janë të vendosura tendat e serbëve (në pronat e tyre), gjatë kohës së cekur më lart”.

“Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor, i cili po zhvillon hetimet lidhur me rastet, është intervistuar edhe prindi B.K., i cili ka treguar se, përderisa ishte duke qarkulluar autobusi i cekur më lart, në afërsi të shtëpive të tyre, ka vërejtur se fëmijët e kanë gjuajtur atë”
, shpjegon Ibra.

Aktualisht, situata e sigurisë në Zallq, përkatësisht në vendin ku tendat e UNHCR-së strehojnë 24 serbë të kthyer, është e qetë. Një patrullë e Policisë së Kosovës qëndron aty, ndërsa edhe KFOR-i ka shtuar lëvizjet, duke ofruar, ndër të tjera, edhe ndihmë për të kthyerit.

Banorët serbë nuk parapëlqejnë të prononcohen, meqë, siç thonë, janë keqinterpretuar nga mediat serbe.

Ndryshe, banorët serbë janë kthyer vullnetarisht në Zallq. Ata nuk kanë respektuar procedurat e vëna nga Ministria e Kthimit, por edhe komuna e Istogut. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Istogut, Haki Rugova, inkurajon kthimin, por insiston në respektim të proceduarve.

“Është thënë se ata do të kthehen, është shprehur një vullnet i qytetarëve serbë që të kthehen në pronën e tyre, qoftë edhe në tenda. Ne nuk kemi qenë kundër kësaj. Por, terreni nuk ka qenë mjaft i përgatitur”, thotë Rugova.

Istogu, në anën tjetër, vlerësohet si një nga komunat më të suksesshme sa i përket kthimit të të zhvendosurve. Kjo pohohet nga vetë ministri i Kthimit dhe i Komuniteteve, Sasha Rashiq. Ai, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, pranon se kthimi i banorëve serbë në Zallq nuk ishte i organizuar dhe nuk u respektuan procedurat.

“Në momentin kur Ministria e Kthimit dhe komuna kanë marrë vesh se në fshatin Zallq janë kthyer, sipas informatave të para, 26 veta, ne kemi ndërmarrë masat e parapara me UNHCR-në, kemi siguruar tendat e përkohshme dhe ua kemi siguruar ushqimin, ujin... Procedurat e nevojshme paraprakisht nuk kemi mundur t’i realizojmë, por i kemi filluar në momentin kur ata kanë ardhur”.

“Me komunën e Istogut kemi filluar të bëjmë vlerësimin, verifikimin e statusit të të kthyerve, gjegjësisht të përcaktojmë se a i plotësojnë kriteret që të konsiderohen si të kthyer, dhe jemi në përfundim e sipër të kësaj procedure”
, thekson Rashiq.

Ministri Rashiq thotë se procedurat e nevojshme duhet të kryhen brenda këtij muaji, kështu që në muajin e ardhshëm pritet të shpallet tenderi për ndërtimin e shtëpive të të kthyerve.

Banorët serbë në Zallq janë kthyer në fund të muajit mars. Qeveria e Kosovës ka premtuar, ditë më parë, se do të investojë 100 mijë euro për kthimin e qytetarëve në Zallq.
XS
SM
MD
LG