Ndërlidhjet

Economist: “Kaosi grek”


Trazirat në Athinë
Trazirat në Athinë
"Economist"


Nëse ka pasur ndonjë javë kur duhej qenë në depresion për shkak të euros, ajo ishte kjo që po e lëmë pas. Evropa miratoi pako të jashtëzakonshme shpëtimi prej rreth 110 miliardë eurosh, por kjo rezultoi me kërdi nëpër rrugët e Athinës dhe trazim të tregjeve.

Nën presion të madh janë edhe vendet anëtare të Eurozonës dhe veçanërisht Irlanda dhe Portugalia.

Aksionet në bursa në gjithë botën kanë shënuar rënie, ndërsa investitorët janë të shqetësuar për stabilitetin financiar të rajonit, që bën gati një të katërtën e ekonomisë botërore.

Shumë evropianë druajnë se kanë parë vetëm një fragment të së ardhmes së tyre: një sëmundje ngjitëse që përhapet nga një vend pa borxhe te tjetri, trazira sociale për shkak të shkurtimit të numrit të vendeve të punës, vite të pavendosmërisë politike dhe dëbim ose tërheqje të vendeve nga Eurozona.

Evropa po ballafaqohet me të gjitha format e problemeve sociale dhe politike, që mbase mund ose jo të manifestohen, por dilema kryesore qëndron te ekonomia.

Nga perspektiva e tashme, as dhuna dhe as ankthi në tregjet financiare nuk janë dëshmi se plani i shpëtimit për Greqinë dhe strategjia më e gjerë evropiane në ballafaqimin me krizën e borxheve, kanë dështuar.

Trazirat, madje edhe ato të dhunshmet, janë pjesë e shpeshtë e jetës politike greke. Tregjet financiare nganjëherë reagojnë me shumë skepticizëm ndaj planeve shpëtuese ekonomike.

Megjithatë, autori i shkrimit pohon se investitorët nuk janë të bindur në suksesin e pakos së ndihmës financiare, sepse fillimisht dyshojnë nëse premtimi prej 110 miliardë eurosh do të materializohet për shkak të vazhdimit të kundërshtimit politik në Gjermani ose nga frika se grekët do të heqin dorë nga kursimet e premtuara.

Brenga tjetër e tyre ka të bëjë me Irlandën, Portugalinë dhe Spanjën, që ballafaqohen me stagnimin ekonomik dhe spiralen e borxheve.

Tash është shumë e rëndësishme që Portugalia, Spanja dhe vendet tjera të dëshmojnë se ato nuk janë në pozitën e Greqisë.

Një hap tjetër do të ishte sigurimi i mekanizmit nga Bashkimi Evropian që t’i furnizojë me mjete të gatshme financiare ekonomitë më të dobëta të Eurozonës, nëse ato do të përfshihen nga paniku.

Ankthi i Athinës nuk bën të përsëritet përgjatë kontinentit, por për ta evituar atë duhet guxim dhe ndershmëri më e madhe e liderëve evropianë. (v.t.)
XS
SM
MD
LG