Ndërlidhjet

WSJ: “Çfarë po ndodh me Turqinë?”


Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan.
Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan.
“Wall Street Journal”

Që nga ardhja në pushtet në vitin 2002, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e kryeministrit Taip Rexhep Erdogan ka ndryshuar në mënyrë dramatike konturat e politikës së jashtme turke.

Кanë kaluar ditët kur vendi kishte një partneritet strategjik me Izraelin, përfshirë lidhjet e ngushta ushtarake dhe armiqtë e përbashkët në Siri dhe Iran, si dhe grupet e ndryshme terroriste që ato sponsorizonin.

Kanë kaluar gjithashtu ditët kur Shtetet e Bashkuara mund të mbështeteshin në Turqinë si një vend barrikadues përballë armiqve të përbashkët, qofshin ata të Bashkimit Sovjetik apo të Sadam Huseinit në Irak.

Sot, zoti Erdogan ka marrdhënie të shkëlqyera me të fuqishmin sirian, Bashar Assad, të cilin kryeminsitri e quan me mirësi “vëlla” të tijin. Ai ka akuzuar Izraelin për “barbari” në Gazë dhe ka hapur një linjë diplomatike me Hamasin, duke ruajtur lidhjet e mira me qeverinë gjenocidiale të Sudanit.

Ai ishte ndër udhëheqësit e parë të huaj që ka uruar Mahmud Ahmadinexhadin për fitoren e tij mashtruese në zgjedhjet e vitit të kaluar. Ai i ka rezistuar presionit të madh nga adminsitrata Obama për të votuar për një raund të ri sanksionesh në Këshillin e Sigurimit kundër Iranit, me të cilin Turqia ka një marrëdhënie tregtare në vlerë prej 10 miliardë dollarësh.

Dhe, ai ka sabotuar përpjekjet e Ministrisë së tij të Jashtme për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Armeninë fqinje.

Ndryshimet në politikën e jashtme pasqyrojnë një revolucion në rritje në aranzhmanet e brendshme politike të Turqisë. Ushtria, e cila për një kohë të gjatë njihet si shtylla e sekularizmit turk, është nën sulm nga ana e qeverisë islamike, e orientuar nga zoti Erdogan, i cili, së fundmi, ka arrestuar dhjetëra oficerë të dyshuar për komplot.

Dhe kur vendi është bërë më i pasur dhe në disa aspekte edhe më demokratik, në të njëjtën kohë ka hequr dorë edhe nga disa “zbukurime” perëndimore. Magjepsja e zotit Erdogan me fqinjët e tij jo të urtë, padyshim që del nga vetë instinktet, ideologjia dhe egoja e tij.

Por, ajo gjithashtu reflekton një qëndrim publik që nuk dëshiron që Turqia të jetë më e huaj në rajonin e vet, sidomos kur në mënyrë të lehtë mund të jetë udhëheqës i saj.

Disa turq e quajnë këtë “Neo-otomanizëm”, të tjerët “degolizëm turk” (nga idelogjia franceze e Sharl dë Gol) . Në cilëndo mënyrë, Perëndimi do të jetë në konfuzion.

Pyetja më serioze është se sa larg do të shkojë. Disa nga manovrimet e brendshme politike të Erdoganit duken sikur goditja e parë e Putinizmit. Huajësimi me Izraelin është larg nga përfundimi, por një sulm izraelit mbi Iranin mund ta çojë këtë punë deri në fund.

Dhe, është e vështirë të shihet pse zoti Erdogan synon të kundërshtojë opinionin publik, kur flitet për aleancën e Turqisë me Shtetet e Bashkuara, kur është goxha i gatshëm të ndjekë opinionin publik në shumë çështje të tjera.

Dhe më e rëndësishmja, a do të mbetet etiketa e islamizmit të Erdoganit relativisht modeste në ambiciet sociale dhe politike që ka, apo do të bëhet me agresive dhe më radikale? Do të ishte e gabuar të pretendohet se përgjigjja dihet. Por, do të ishte çmenduri të mos ketë shqetësime mbi këtë mundësi. (v.t.)
XS
SM
MD
LG