Ndërlidhjet

OKB: SHBA thotë se statusi i Kosovës dhe kufijtë janë zgjidhur


Këshilli i Sigurimit
Këshilli i Sigurimit

Kosova nuk do të pranojë negociata të reja për status, tha ministri i Jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni, në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Nuk do të ketë negociata të reja për statusin e Kosovës, pasi kjo çështje ka përfunduar”, tha ministri Hyseni në seancën e Këshillit të Sigurimit.

Më tutje, ai theksoi se “nuk do të ketë biseda për ndarjen e Kosovës". "Kjo nuk do të ndodhë kurrë”, tha Hyseni dhe shtoi se “çdoherë mund të ketë biseda dhe diskutime ndërmjet shteteve fqinje”.

Këto qëndrime të ministrit Hyseni i mbështeti zëvendësambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Brooke Anderson, duke thënë se “pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme” dhe se “ndarja nuk është e pranueshme”. Ajo vlerësoi se “statusi i Kosovës dhe kufijtë janë zgjidhur”.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, theksoi se Qeveria e Serbisë kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, vendimi i ardhshëm i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, do të krijojë një “mundësi të paprecedent” për kompromis ndërmjet serbëve e shqiptarëve.

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanier, në këtë mbledhje deklaroi se situata e përgjithshme në Kosovë është edhe më tutje stabile, por mbetet potencialisht e ndjeshme.

“Mungesa e pajtimit ndërmjet bashkësive edhe më tutje është sfidë, e cila është përforcfuar me vështirësitë ekonomike”, tha ai.

Sipas tij, “me ndihmën e UNMIK-ut, Beogradi dhe Prishtina vazhdojnë të kenë kontakte lidhur me personat e pagjetur dhe çështjet fetare”.

Zanier tha se UNMIK-u edhe më tutje luan rol neutral ndaj statusit të Kosovës dhe mban kontakte me Serbinë dhe Kosovën.

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, tha se rezoluta 1244, që Kombet e Bashkuara i autoritzon ta adminsitrojnë Kosovën, “mbetet plotësisht në fuqi”.

“Ajo ende mbetet e obligueshme për të gjithë ne si një bazë ndërkombëtare dhe juridike për zgjidhjen e Kosovës dhe për garantimin e sigurisë”, tha Çurkin, duke shtuar se “mospranimi i kësaj nënkupton mospranim të legalitetit ndërkombëtar”. (f.b.)


Lexoni edhe këtë: Prishtinë: Nuk duan rol të ri të UNMIK-ut
XS
SM
MD
LG