Ndërlidhjet

WP: “Pse SHBA-të duhet të mbështesin pakon shpëtimtare të Evropës?”


“Washington Post”, “New York Times”, “Guradian”


Vendimi i Bashkimit Evropian për të shpëtuar Greqinë dhe për të krijuar një pako të madhe financiare për shpëtimin eventual të të tjerëve, nuk garanton suksesin, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja “Washington Post”.

Për dallim nga besimi i përgjithshëm, synimi kryesor nuk është shpëtimi i Greqisë, por evitimi i një paniku tjetër financiar, siç ishte rasti në vitin 2008 me “Lehman Brothers”, që do ta çonte botën drejt një recesioni tjetër.

Rënia e aksioneve dhe e euros janë shenja sinjalizuese të këtij zhvillimi të mundshëm, pohon “Washington Post”.

Interesi i Amerikës qëndron në evitimin e këtij skenari dhe për këtë Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur planin shpëtimtar financiar të Evropës, shkruan gazeta.

*****

Çështja e fundosjes së luftanijes koreano-jugore gjithashtu është një nga temat qendrore të shtypit të sotëm ndërkombëtar.

Gazeta “New York Times” shkruan se liderët kinezë po ballafaqohen me dy opsione të pakëndëshme. Njëri ka të bëjë me qetësimin e Koresë së Veriut dhe pastaj rrezikun për dobësimin e përpjekjeve të saj për t’i bindur Shtetet e Bashkuara, Korenë e Jugut dhe Japoninë se Kina është një forcë stabiliteti në Azinë Qendrore.

Dhe, opsioni i dytë është që t’u bashkohet atyre vendeve dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënojnë Korenë e Veriut për sulmin, e që pastaj rrezikon për një përgjigje tërësisht të paparashikueshme nga fqinji i paqëndrueshëm.

Deri më tash, shkruan gazeta, Kina ka kërkuar që t’i pushtojë të dyja këto opsione, duke thënë vetëm atë se të dyja Koretë duhet të tregohen të përmbajtura në mes të një krize të krijuar.

Por, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, po shtyn zyrtarët kinezë që të marrin një qëndrim të qartë.

Koreja e Jugut pritet t’i kërkojë Këshillit të Sigurimit të hënën që të dënojë fundosjen e luftanijes, që thuhet se shkaktoi një nga humbjet më të mëdha të personelit ushtarak që nga përfundimi i Luftës së Koresë. Zonja Klinton është duke shtyrë Pekinin për ta mbështetur këtë përpjekje.

Por, në diskutimet që filluan të dielën, shkruan “New York Times”, Kina ka rezistuar dhe ka qenë skeptike në pretendimet se Koreja e Veriut ishte përgjegjëse për fundosjen e luftanijes. Studiuesit thonë se dyshimet e tilla janë tipike kur Kinës i kërkohet të anohet kundër Koresë së Veriut.

*****

Kampionati botëror i futbollit është temë e pashmangshme në gazetat ndërkombëtare.

Në kohën kur kanë mbetur rreth tri javë deri në fillimin e kësaj ngjarjeje sportive, gazeta “Guardian” trajton çështjen e të infektuarit me virusin HIV në Afrikën e Jugut, që sivjet është nikoqire e Kupës Botërore.

Gazeta shkruan se shumë nga mediat e kanë vënë theksin në mënyrë të padrejtë në punëtorët e prostitucionit, në vend se te klientët e tyre, duke i stigmatizuar viktimat.

Tabloidet sensacionale, sipas gazetës, do të bëjnë të besohet se punëtorët e prostitucionit janë “agjentë transmetues të virusit”, që paraqesin kërcënim për shëndetin publik, për shkak të infektimit potencial me virusin HIV të tifozëve të futbollit, që mund t'i vizitojnë ata.

Afrika e Jugut ka një nga normat më të larta në botë të të infektuarve me virusin HIV, me më shumë se një ndër 10 njerëz që jetojnë me këtë virus, shkruan në fund “Guardian”.
XS
SM
MD
LG