Ndërlidhjet

Turqia thirr mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit


Protesta të fuqishme ndërkombëtare po bëhen për shkak të ndërhyrjes së komandosëve të Izraelit në flotën e anijeve me ndihma për Gazën, me ç’rast u vranë të paktën 10 aktivistë.

Nënsekretari i ministrisë së Jashtme turke, Salim Jenel, i tha Radios Evropa e Lirë se Ankaraja po e tërheq ambasadorin e saj nga Izraeli, dhe ka bërë thirrje për mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit.

Jenel tha se ambasadori izraelit është paralajmëruar për “dëmtim të pakthyeshëm” të marrëdhënieve dypalëshe.

Ai i hodhi poshtë pohimet e Izraelit se anijet humanitare turke, të cilat ishin inspektuar nga një vend i NATO-s, mund të kenë trafikuar armë.

“Kjo ndodhi në ujërat ndërkombëtare, dhe kjo ishte shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar. Ne e ftuam ambasadorin e Izraelit këtu. Ne thamë se kjo ishte shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar sepse ky ishte konvoj që mbante vetëm mallra humanitare. Ishte një iniciativë paqësore, dhe është e papranueshme”, tha Jenel.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun tha se ai është “i shokuar” nga sulmi. Ndërkohë, dhjetëra mijë demonstrantë protestuan në rrugët e Stambollit.

Greqia u tërhoq nga stërvitjet ushtarake me Izraelin, dhe e anuloi vizitën në Athinë të ushtarakëve të lartë izraelitë.

Lëvizja Islamiste, Hamas u bëri thirrje myslimanëve që të protestojnë para ambasadave izraelite në botë.

Në Bruksel, ambasadorët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian sot mbajnë mbledhje të jashtzakonshme, ndërsa kryediplomatja Ketrin Eshton i kërkoi Izraelit “hetime të plota”.
XS
SM
MD
LG