Ndërlidhjet

OKB: KS e dënon sulmin në anije dhe kërkon hetime të pavarura


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot i ka dënuar aktet që çuan në vrasjen e civilëve gjatë ndërhyrjes ushtarake izraelite në flotën e anijeve, që ishte nisur për në Gaza.

Në deklaratën formale, të miratuar pas më tepër se 10 orësh të negociatave me dyer të mbyllura, Këshilli i Sigurimit ka kërkuar “hetime të pavarura dhe transparente”.

Deklaratën e lexoi Clod Heller, ambasadori i Meksikës, që e kryeson Këshillin e Sigurimit:

“Këshilli i Sigurimit shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetëve dhe të plagosjeve, që ndodhën pas përdorimit të forcës gjatë operacionit ushtarak izraelit në ujërat ndërkombëtare kundër konvojit, që lundronte për në Gaza. Në këtë kontekst, Këshilli i dënon këto akte, që rezultuan me vdekjen e së paku 10 civilëve dhe shumë të plagosurve dhe shpreh ngushëllime për familjet e tyre”, tha ambasadori Heller.

Të 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit u pajtuan për deklaratën, e cila ishte më e butë se sa kërkohej nga palestinezët, arabët dhe Turqia.

Ata kërkuan dënimin e sulmeve të forcave izraelite “me fjalë më të fuqishme” dhe “hetime të pavarura ndërkombëtare”.

Në deklaratat individuale, anëtarët e Këshillit të Sigurimit, e dënuan sulmin izraelit në ujërat ndërkombëtare, që çoi në vrasjen e së paku 9 aktivistëve.
XS
SM
MD
LG