Ndërlidhjet

Takimi Bentler-Miletiq


Komandanti i forcave te armatosura të ushtrisë së Serbisë, Miloje Miletiq, ka qëndruar sot për një vizitë në Kosovë.

Gjatë qëndrimit të tij në vend, kreu i ushtrisë serbe zhvilloi një takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralin gjerman, Markus Bentler.

Në një komunikatë për media të KFOR-it, thuhet se takimi u zhvillua “në kuadër të Komisionit të Përbashkët për implementim, i cili ka dalë nga Marrëveshja e Kumanovës në mes të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura Serbe”.

“Qëllimi i vizitës ishte të ngrejë bashkëpunimin dhe sigurinë në të dyja anët e Vijës Kufitare Administrative. Në këtë takim u bisedua për çështje të interesave të përbashkëta, si: lufta kundër kontrabandës, siguria e vendkalimeve kufitare dhe problemi i kalimeve ilegale ne vijën kufitare administrative”, theksohet në komunikatë.

Autoritetet kosovare, ndërkaq, kanë qenë të informuara për ardhjen e kryeshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, mirëpo për realizimin e vizitës së tyre në Kosovë, bëhet e ditur se nuk u është kërkuar leje e veçantë mekanizmave përgjegjës.
XS
SM
MD
LG