Ndërlidhjet

Një anije tjetër humanitare sfidon Izraelin



Izraeli tha se trupat izraelite do të ngjiten në anijen me ndihma humanitare, e cila po lundron në drejtim të Gazës, nëse anija nuk shkon në një port në jug të Izraelit.

Zëdhënësja e ushtrisë, Avital Leibovic tha se anijet e marinës izraelite i kanë dalur përpara anijes irlandeze, duke i dërguar mesazhin: “Ushtarët tanë do të hipin në anije nëse ju refuzoni ta ndryshoni kursin. Ne jemi gati të përdorim forcën për të mbrojtur veten”.

Izraeli i ka urdhëruar anijes, e cila ndodhet rreth 50 km nga bregu i Gazës të lundrojë drejt portit izraelit Ashdod.

Më herët, organizatorët e dërgesës private humanitare thanë se disa anije izraelite e kishin rrethuar anijen e tyre rreth 50 km nga bregu i Gazës.

Zhvillimet e sotme i rritën shqetësimet për një konfrontim të ri të mundshëm në det pas vërsuljes detare izraelite në flotiljen humanitare të hënën, që la 9 të vdekur.

Izraeli thotë se bllokada në Gaza duhet për të penguar që armët të mos bien në duart e Hamasit.
XS
SM
MD
LG