Ndërlidhjet

OSBE: Dështim në gjykimin e krimeve të luftës


Në Kosovë ka pasur dështim të sistemit për gjykimin e krimeve të luftës, është konkluzioni i një raportit të OSBE-së, që trajton çështjet e krimeve të luftës në periudhën 1999-2009.


Për 10 vjet me radhë, sistemi gjyqësor ka dështuar t’i gjykojë krimet e luftës në Kosovë. Ky përfundim i nxjerrë nga raporti i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian prek, si sistemin ndërkombëtar, ashtu edhe atë vendor të drejtësisë.

OSBE-ja në raportin, “Gjykimet e Krimeve të Luftës në Kosovë, një vlerësim pas dhjetë vjetësh”, konstaton se asnjëherë krimeve të luftës nuk u është dhënë prioritet.

Aty thuhet se kurrë nuk janë caktuar resurse të mjaftueshme. Raporti vë në pah se ka pasur probleme në secilën fazë të procesit gjyqësor.

“Është lehtë të kuptohet se krimet e luftës janë komplekse, që nënkupton se është vështirë të merresh me to, t’i hetosh, t’i ndjekësh dhe t’i mbrosh ato. Sa më të vjetra të bëhen rastet e krimeve të luftës, aq më të vështira do të jenë për t’u gjykuar”.

“Viktimat, dëshmitarët dhe dëshmitë mund të bëhen më pak të qasshme me kalimin e kohës. Ngjashëm, sa më shumë zgjatet një rast, më pak hetues dhe prokurorë që fillimisht kanë punuar në rast, ka gjasa të qëndrojnë në Kosovë për të asistuar në procedura”
, thotë shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Verner Almhofer.

Raporti i OSBE-së nënvizon se për shkak të kohës që ka kaluar dhe vëllimit të rasteve të mbetura, do të jetë tejet e vështirë që të sigurohet se palët e përfshira do të kenë gjykim të drejtë në të gjitha rastet e mbetura.

Skadimi i kontratave, qoftë të hetuesve policorë, prokurorëve apo gjyqtarëve ndërkombëtarë, është përmendur si një e metë e madhe, që ka ndikuar negativisht në gjykimin e krimeve.

Gjykatësi i EULEX-it, Xhanfranko Gallo, pranon një të metë të tillë, sa ai ka punuar në misionin e OKB-së në Kosovë.

“Profesionistët nuk qëndrojnë këtu për kohë të gjatë. Kur punon për drejtësinë, duhet të qëndrosh kohë më të gjatë, nëse do që të jesh efektiv. Duhet ngritur lidhjet me policinë. Problemi është se jo të gjithë gjykatësit dhe prokurorët qëndrojnë për një periudhë të mjaftueshme këtu”,
thekson Gallo.

Trajtimi i krimeve të luftës në Kosovë ka qenë përgjegjësi e UNMIK-ut deri në vendosjen e EULEX-it. Tani me këto çështje merret misioni evropian.

OSBE-ja rekomandon që rasteve të mbetura të krimeve të luftës duhet t’u jepet prioritet më i lartë nga ana e EULEX-it dhe sistemit gjyqësor në Kosovë.

“Ky raport rekomandon që krimeve të luftës t’u jepet prioritet i lartë nga prokurorët dhe gjykatësit kosovarë; që Instituti Gjyqësor i Kosovës të ofrojë trajnime të posaçme për gjykimin e krimeve të luftës për gjyqtarët dhe prokurorët kosovarë; që gjyqtarët dhe prokurorët e EULEX-it të marrin trajnime speciale, nëse ata nuk janë tashmë të trajnuar në këtë fushë”.


“Po ashtu, rekomandohet që policët e Kosovës të punojnë ngushtë me njësinë e specializuar të EULEX-it dhe t’u ofrojnë mbrojtje dëshmitarëve dhe familjeve të tyre, të cilët janë të përfshirë në rastet e krimeve të luftës”
, thotë drejtori i Departamentit për të Drejtat e Njeriut në OSBE, Xhejms Rodehaver.

Raporti thekson se duhet të caktohen resurse adekuate për trajtimin e krimeve te luftës. Blerim Isufaj nga Ministria e Drejtësisë përmend pikërisht mungesën e fondeve të mjaftueshme, si një nga problemet kryesore të gjyqësorit.

“Për t’i realizuar këto synime, që kanë të bëjnë me gjykimin e krimeve të luftës, duhet të vazhdojë përkrahja e plotë duke gjetur donacione apo fonde të posaçme për t’i inkurajuar institucionet, që të ofrojnë mbështetje”,
sqaron Blerim Isufaj.

OSBE rekomandon, po ashtu, formimin e një ode të specializuar, ose të një departamenti për krime serioze, siç janë krimet e luftës. Sipas këtij misioni, kjo çështje duhet të mbetet në agjendë përmes kalimit të projektligjit mbi gjykatat.

XS
SM
MD
LG