Ndërlidhjet

Parteshi para zgjedhjeve


Në Partesh këtë të diel organizohen zgjedhjet e para lokale, që do ta shndërrojnë këtë fshat në komunë. Disa nga politikanët serbë që garojnë, thonë se e vetmja rrugëdalje për mbetje në Kosovë, është pjesëmarrja në zgjedhje



Parteshi, deri tash fshat në përbërje të Gjilanit, pas kësaj të diele do të gdhijë në komunën më të re dhe të vogël të Kosovës.

Zgjedhjet e organizuara nga Qeveria e Kosovës mbahen më 21 qershor, ndërsa disa nga politikanët e atjeshëm, thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër, pos të garojnë, meqë, sipas tyre, Qeveria e Serbisë nuk ofroi zgjidhje për ta.
...për 10 vjet as shteti i Serbisë, as bashkësia ndërkombëtare, e as institucionet e Kosovës nuk kanë ndonjë plan normal për ne...


“Unë kam vendosur që të kandidoj, sepse në këto momente, serbët në jug të lumit Ibër duhet të zgjedhin mes dy të këqijave. Ne, me daljen në këto zgjedhje, zgjedhim të keqen më të vogël. Arsyeja pse kam kandiduar është që të ndihmojmë në mbetjen e serbëve, ashtu siç ka premtuar bashkësia ndërkombëtare”.


“Mendoj që për 10 vjet as shteti i Serbisë, as bashkësia ndërkombëtare, e as institucionet e Kosovës nuk kanë ndonjë plan normal për ne. Ne u desh të organizohemi si komunitet dhe t’i marrim gjërat në duart tona”.

“Kemi pritur shumë që Beogradi të dalë me ndonjë plan, në mënyrë që t’i nisë të gjithë serbët në një rrugë të njëjtë. Por, fatkeqësisht shihet se na kanë lënë që secili të gjendet si të mundet”,
thotë Vesna Jovanoviq, kandidate e iniciativës qytetare "Së Bashku për Mbijetesë".

Parteshi shndërrohet në komunë sipas planit për decentralizim të Ahtisarit. Deri tash janë formuar tri komuna të reja serbe dhe në të tri ka pasur pjesëmarrje të konsiderueshme të komunitetit serb në zgjedhjet lokale.

E njëjta, sipas Jovanoviqit, pritet të ndodhë edhe në Partesh, me gjithë thirrjet e Beogradit zyrtar se nuk janë pjekur kushtet për zgjedhje.

“Kanë thënë edhe më herët se nuk janë krijuar kushtet për zgjedhje. Por, njerëzit në Graçanicë e Shtërpcë kanë dalë masivisht në zgjedhje dhe tash qeveria në Serbi e ka parë që serbëve thjesht duhet t’iu japë diçka. Por, fatkeqësisht ajo asgjë nuk na ka dhënë, madje as që na ka ndihmuar”
, thekson Jovanoviq.

Sekretari shtetëror i Ministrisë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, fton serbët që të mos dalin në zgjedhjet e 21 qershorit. Por, ai bën po ashtu të qartë se nuk do ketë sanksione për ata që marrin pjesë.

Oliver Ivanoviq
“Qeveria e Serbisë nuk e ka ndryshuar qëndrimin në lidhje me zgjedhjet në Kosovë sipas planit të Ahtisarit. Qëndrimi është negativ. Por, në të njëjtën kohë e shoh që edhe në Graçanicë edhe në Shtërpcë, ka qenë një numër i konsiderueshëm i njerëzve që kanë dalë në zgjedhje”.

“Ata njerëz që do të dalin në zgjedhje, nuk do të sanksionohen; ne konsiderojmë se ky është vullneti i lirë i secilit qytetar. Megjithatë, nuk duhet harruar se është Qeveria e Serbisë ajo që është shumë e rëndësishme për ekzistimin e serbëve në Kosovë”, shprehet Ivanoviq.


Por, Jovanoviq, nuk pajtohet me një gjë të tillë. Ajo thotë se serbët në jug të lumit Ibër, janë lënë pasdore nga ana e Qeverisë së Serbisë.

“Ndryshe jetojnë njerëzit në veri të Mitrovicës, ndryshe në Shtërpcë, ndryshe në Anamoravë. Nuk ka një plan unik për të gjithë ne, nuk jemi në pozicion të njëjtë. Ndoshta për secilin nga ne Beogradi duhet të krijojë plane të ndryshme”.

“Unë nuk kam dëgjuar; e shihni që askush në Beograd nuk shprehet qartë për zgjedhjet në Partesh. Kjo është një shenjë tjetër, që nuk kanë plan për ne”
, thotë Jovanoviq, për të shtuar se serbët në këtë mjedis, është dashur ta marrin fatin në duart e tyre.

Për zgjedhjet në Partesh garojnë pesë subjekte politike serbe. Kandidatët kërkojnë nga institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare që menjëherë pas zgjedhjeve të investojnë në këtë fshat, meqë, siç shprehen, mungon e tërë infrastruktura që i duhet një komune.
XS
SM
MD
LG