Ndërlidhjet

Serbët shënojnë “Vidovdanin”


Gazimestan, 28 qershor 2010.
Gazimestan, 28 qershor 2010.

Ka përfunduar qetë manifestimi për Ditën e Vidovdanit. Serbë të Kosovës dhe të Serbisë janë mbledhur në Graçanicë dhe në Gazimestan, për të shënuar 621- vjetorin e Betejës së Kosovës. Policia e Kosovës ka bërë përcjelljen e tyre. Nuk është shënuar asnjë incident. Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Irinej, ka mbajtur liturgjinë në Manastirin e Graçanicës.


Fillimisht në Graçanicë, e më pas në Gazimestan, mbi një mijë serbë të Kosovës dhe të Serbisë kanë shënuar 621-vjetorin e Betejës së Kosovës, në të cilën ushtria serbe pësoi humbje nga Perandoria Osmane.

Manifestimet kanë përfunduar pa incidente, ndërsa rreth 1,500 pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë kujdesur për sigurinë.

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Irinej, ka mbajtur liturgjinë në Manastirin e Graçanicës. Ndërsa, kleriku nga Mali i Zi, Amfilohije Radoviq, në Gazimestan ka hedhur kritika mbi gjendjen në Kosovë, pasi, sipas tij, po shkelen të drejtat e njeriut.

“Fusha e Kosovës është edhe sot vendi ku ballafqohet fati i kësaj bote, i atyre që janë për drejtësi, për Zotin, për të mirën dhe lirinë, për dashurinë mes njerëzve dhe i atyre që janë këtu që të shkelin të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e njeriut”, ka thënë Amfilohije Radoviq.

Gazimestan, 28 qershor 2010.
Mesazhe politike janë dërguar edhe nga Graçanica, nga ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, i cili, bashkë me ministrin për çështje religjioze, për të hyrë në Kosovë kanë kërkuar leje nga autoritetet e vendit.

Ai ka thënë se për Kosovën duhet të gjendet një zgjidhje që kënaq edhe shqiptarët, edhe serbët.

“Qëllimi ynë nuk është që të nënçmojmë cilëndo palë, sepse vetë e dimë se çka nënkupton kjo. Qëllimi ynë nuk është që ta bëjmë dikë si humbës. Qëllimi ynë është që të kërkojmë zgjidhje, që ta mbrojmë atë që është e jona dhe ta mundësojmë mbetjen e popullit tonë, të institucioneve dhe kishës tonë në Kosovë”, ka thënë Goran Bogdanoviq.

Sipas Policisë së Kosovës, manifestimi në Gazimestan ka përfunduar në orët e para të pasdites. Zëdhënësi Baki Kelani ka thënë se tubimet janë përcjellë nga Policia e Kosovës, e cila, sipas tij, nuk ka shënuar ndonjë incident.

“E tëra ka kaluar në bazë të planeve të parapara të Policisë së Kosovës. Mund të theksoj se, fillimisht, ceremonia e festimit të Vidovdanit është mbajtur në Graçanicë. Atje kanë qenë të tubuar rreth një mijë persona. Më pas, qytetarët, së bashku me delegacionet pjesëmarrëse, diku rreth orës 12, kanë vazhduar në drejtim të Gazimestanit. Atje, numri i pjesëmarrësve ka arritur mbi 1,500 dhe mund të them se e tëra ka kaluar pa asnjë incident”, ka theksuar Kelani.

Policia e Kosovës ka njoftuar se 11 delegacione të ndryshme nga Serbia, kanë kërkuar lejen e autorieteteve për të marrë pjesë në shënimin e Betejes së Kosovës.

Por, për të marrë pjesë në atë që njihet si festa e Vidovdanit, nga Serbia, në ditët e fundit, kanë ardhur mbi një mijë persona.

Fillimisht, rreth 40 pjesëtarë të së ashtuquajturës Garda e Car Lazarit kanë hyrë pa iu nënshtruar kontrollit kufitar, ndërkohë që, sipas policisë, ndaj atyre tashmë është ngritur kallëzim penal. Por, 900 motoçiklistë dhe qytetarë të tjerë, sipas Baki Kelanit, iu kanë nënshtruar procedurave kufitare. Mbi 100 motoçiklistë të tillë kanë qëndruar sot në Gazimestan, të cilët janë përcjellë gjatë gjithë kohës nga Policia e Kosovës.
XS
SM
MD
LG