Ndërlidhjet

Presidenca belge e BE-së, tërheqje nga zgjerimi


Bruksel
Bruksel
Nga 1 korriku, Belgjika do të marrë kryesinë e radhës së Bashkimit Evropian, që për gjashtë muaj ka qenë në duart e Spanjës.

Kriza ekonomike dhe ndërtimi i krahut diplomatik të Unionit, i njohur si Shërbimi i Jashtëm Evropian për Veprim, do të jenë përparësitë kryesore të Brukselit.

Kjo nënkupton se zgjerimi dhe politikat e fqinjësisë në lindje të kontinentit do të njohin një lloj tërheqjeје deri në fillim të vitit 2011, vit ku Hungaria dhe Polonia do të marrin kryesimin e BE-së.

Ngritja e shërbimit diplomatik evropian duket se do të marrë shumicën dërrmuese të energjive të presidencës belge, sa u përket çështjeve të politikës së jashtme.

Javën e kaluar, vendet anëtare arritën një marrëveshje që do të mundësojë funksionalizimin e këtij shërbimi deri në fund të vitit.

Ngritja e këtij shërbimi është artikuluar si përparësi edhe nga shefi i diplomacisë belge, Stiven Vanekër.

Iv Leterm dhe Stiven Vanekër
Mendoj se ngritja e shërbimit është themelore për rolin dhe ndikimin e BE-së në botë. Deri më 1 dhjetor të këtij viti, një embrion i këtij shërbimi, të njohur si Shërbimi i Jashtëm Evropian për Veprim, do të jetë realitet”, ka thënë Vanekër.

Ky shërbim që parashihet nga Traktati i Lisbonës, nuk do të ketë pushtet të pavarur politikbërës, por do t’i marrë urdhrat nga 27 vendet anëtare.

Megjithatë, pritet që vendet që do ta kenë kryesinë e radhës, të ndikojnë për periudhën që janë në këtë detyrë edhe te përparësitë e BE-së.

Ndonëse mendohet se në kushtet aktuale zgjerimi nuk do të jetë në mesin e përparësive kryesore, sërish besohet se Belgjika është një vend që mund të ndikojë në politikat e zgjerimit.

Kryeministri Iv Leterm ka thënë, pak ditë më parë, se e ardhmja e vendeve të Ballkanit në Bashkimin Evropian nuk diskutohet.

Por, Leterm duket se ka ftohur shpresat e Kroacisë që t’i përfundojë bisedimet për anëtarësim brenda vitit 2010.

“Për Belgjikën është shumë e rëndësishme që këto dosje, mes të cilave dhe kapitujt që duhen negociuar me Kroacinë për anëtarësim, të trajtohen mbi bazën e përparimit të arritur përmes bisedimeve. Para së gjithash, kjo nuk është një qasje politike”, ka thënë Leterm.

Përpjekja e Belgjikës që të ruajë një profil të ulët gjatë presidencës së radhës, lidhet edhe me faktin se Leterm është ushtrues i detyrës së kryeministrit, derisa vendi po përpiqet të tejkalojë dallimet mes grupeve të ndryshme etnike e gjuhësore në vend.

Belgjika duket se është përgatitur për presidencën e saj të dymbëdhjetë për dy vjet e gjysmë. Leterm ka thënë se programi i punës për gjashtë muajt e ardhshëm ka marrë edhe mbështetjen e shumicës në Parlamentin belg. (i.b.)
XS
SM
MD
LG