Ndërlidhjet

Thaçi: Festojnë humbjet, vallëzojnë në dëshpërime


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka cilësuar pjesë të festave për humbje djegien e flamurit amerikan dhe këndimin e këngëve patriotike antishqiptare nga serbët, që morën pjesë në shënimin e festës së “Vidovdanit” serb, të hënën, në Kosovë.

Ai i bëri këto komente gjatë një ligjerate në Universitetin për Biznes dhe Teknologji në Prishtinë. Zoti Thaçi tha se po “vallëzojnë në dëshpërime”, ndërsa theksoi vendosmërinë e Prishtinës zyrtare për të ndërtuar një shtet demokratik.

“Ata kanë festuar edhe kur i kanë humbur të gjitha betejat dhe është në traditën e tyre që të festojnë humbjet dhe të vallëzojnë në dëshpërime. Ne po ndërtojmë një vend demokratik dhe multietnik, shtet të mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët. Në Beograd ka dominuar emocioni i fitoreve edhe kur e kemi larguar ushtrinë dhe policinë e Serbisë nga Kosova. Zhvillimet tona, progresi ynë, nuk varen nga Beogradi”, u shpreh kryeministri Thaçi.

Të hënën, më 28 qershor, në Graçanicë dhe në Gazimestan ishin mbledhur mijëra serbë nga Kosova e Serbia për të shënuar 621-vjetorin e Betejës së Kosovës.
XS
SM
MD
LG