Ndërlidhjet

Debati mbi rregulloren e Kuvendit


Ndërtesa e Kuvendit në Shkup
Ndërtesa e Kuvendit në Shkup
Opozita shqiptare kërkoi që ndryshimi i rregullores mbi punën e Kuvendit të përfshijë edhe mbylljen e çështjeve që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës shqipe në institucionin ligjvënës.

Paralajmërimi i Demokracisë së Re erdhi pas njoftimit të Kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljnaovski se së shpejti do të diskutohet kërkesa e opozitës maqedonase që gjatë seancave të Kuvendit, një nga pikat e rendit të ditës të caktohet nga partitë opozitare.

Deputeti i Demokracisë së Re, Sulejman Rushiti, tha se Grupi Parlamentar i kësaj partie nuk kërkon asgjë më shumë se respektimi i Kushtetutës së Maqedonisë, e cila, sipas tij, qartë përcakton se në Maqedoni, përveç maqedonishtes, zyrtare është edhe gjuha shqipe.

“Edhe gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në Kuvend, pra jo vetëm deputetët, por sigurisht që edhe nënkryetari i Kuvendit, në rastin kur është shqiptar të ketë mundësi që seancën ta drejtojë në gjuhën shqipe, si dhe procesverbalet e diskutimeve tona të jenë në gjuhën shqipe, e kështu me radhë”
, deklaroi Sulejman Rushiti.
Salla e Kuvendit të Maqedonisë

Veç kësaj, Demokracia e Re kërkon edhe rritjen e numrit të shqiptarëve në shërbimet e Kuvendit dhe pjesëmarrje të drejtë në kanalin televiziv kuvendor.

“Kjo është një pako e propozimeve tona, të cilat janë konform Kushtetutës dhe konform Marrëveshjes së Ohrit ”
, tha Rushiti.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thanë se nuk janë kundër kërkesave të tilla dhe mbështesin çdo nismë që ka për qëllim avancimin e gjuhës shqipe.

“Ne si Bashkim Demokratik për Integrim, nuk jemi kundër që të ngriten probleme të ndryshme dhe normalisht se në këtë drejtim ne mund të japim kontributin tonë pozitiv ”, u shpreh Tahir Hani, koordinator i Grupit Parlamentar të BDI-së.

Ai mbështeti edhe kërkesën e opozitës maqedonase që një pikë e rendit të ditës të caktohet nga opozita, por për këtë çështje, sipas tij, duhet të merren vesh partitë mes tyre.

Në këtë drejtim, nga Lidhja Social-demokrate thonë se nuk mund të komentojnë asgjë deri në paraqitjen e propozimeve nga kryetari i Kuvendit, ndërsa nga Partia Liberal-demokrate thanë se pushteti, siç duket, më në fund i ka kuptuar vërejtjet që vijnë nga Bashkimi Evropian, andaj edhe kanë vendosur që t'i shqyrtojnë seriozisht kërkesat e tyre.

“Shpresoj se në rast se zgjidhet çështja me rregulloren dhe respektohet ajo që kërkon opozita, e që është në drejtim të zhvillimit të demokracisë, do të duhej që ne të kthehemi në koordinimet e Kuvendit ”
, tha Roza Topuzovska nga Partia Liberal-demokrate.

Rregullorja mbi punën e Kuvendit ishte miratuar para dy vjetësh nga partitë e tashme të koalicionit qeveritar, BDI dhe VMRO-DPMNE, por miratim i saj shkaktoi pakënaqësi të shumta.

Kjo ishte edhe një nga shkaqet e bojkotit të Kuvendit nga partia tjetër opozitare, Partia Demokratike Shqiptare, e cila ende vazhdon të mos jetë e pranishme në Kuvend.

Sipas opozitës shqiptare, BDI-ja me mbështetjen që i ka dhënë rregullores, ka devalvuar në skajshmëri përdorimin e gjuhës shqipe.
XS
SM
MD
LG