Ndërlidhjet

Raport me apo pa ndikime?


Raporti i Freedom House, që njeh suksesin në decentralizim, por kritikon autoritetet kosovare për korrupsion dhe ndikim në media, nga zyrtarët qeveritarë vlerësohet si raport që tenton të jetë i balancuar. Ndryshe mendon opozita.


Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës nuk pajtohen se korrupsioni po shënon rritje në vend, siç është theksuar në raportin e fundit të Freedom House. Ky raport njeh suksesin në zbatimin e procesit të decentralizimit, por kritikon autoritetet e vendit për rritjen e korrupsionit, si dhe ndikimin politik në media.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se raporti tenton të jetë i balancuar, por, sipas tij, konstatimet janë të ndikuara nga pikëpamjet personale të përpiluesit të raportit, që, sipas tij, është kosovar.

Qeveria e Kosovës
“Edhe ky raport, edhe ai i vitit të kaluar, tenton të jetë i balancuar, duke vlerësuar radhitjen në fushat e caktuara, pastaj duke listuar edhe sfidat tjera, me të cilat ballafaqohet Kosova. Normalisht, raportet e kësaj natyre janë produkt i vlerësimeve personale dhe politike të draftuesve të tyre”.

“I mirëpresim këto raporte, por gjithsesi ato ndonjëherë mund të jenë të ndikuara më shumë sesa që duhet nga mendimet personale të draftuesve, që zakonisht kanë bindje politike të caktuara dhe që janë kosovarë”,
thotë Krasniqi.

Raporti i Freedom Hosue vë në pah se korrupsioni në 2009-ën ka shënuar rritje, ndërsa Zyra e Auditorit Gjeneral, sipas raportit, ka gjetur “keqmenaxhime të neveritshme të buxhetit të Kosovës dhe është ankuar se nuk ka vullnet politik për t’i adresuar këto mangësi”.

Nënkryetarja e partisë opozitare, Aleanca Kosova e Re, Mimoza Kusari-Lila, thotë se raporti paraqet gjendjen reale në terren.

“Sa i përket korrupsionit, ndikimit politik në media - ata janë evidentë dhe me të vërtetë e rëndojnë shoqërinë kosovare. Dhe, mbi të gjitha, që është më e rëndësishmja, nuk ka pasur vullnet politik, nuk është vërejtur një vullnet apo iniciativë politike nga institucionet qeverisëse që t’i luftojnë këto dukuri”.

“Përkundrazi, ekziston tendenca që të mundohet të gjendet rrugë-shpëtimi, me të njëjtat standarde, pa ndryshuar asgjë kjo qeveri”,
thotë Kusari-Lila.

Raporti ka kritikuar Qeverinë se ka kufizuar lirinë e mediave, duke theksuar se “Qeveria e Kosovës ka shtrënguar kontrollin mbi transmetuesin publik dhe median e pavarur”.

Por, një konstatim i tillë, sipas Memli Krasniqit, nuk qëndron, meqë, siç thotë ai, Kosova është shembull në rajon për lirinë e mediave.

“Mendimi im është se Kosova është shembull në rajon dhe kjo është dëshmuar edhe në mënyrë empirike dhe kualitative. Ne, fatmirësisht, kemi një kornizë ligjore, jashtëzakonisht liberale, e cila gazetarëve u mundëson realizimin e veprimtarisë së tyre në mënyrë të lirë”, shprehet Krasniqi.

Ata që përfaqësojnë gazetarët në Kosovë, vlerësojnë se konstatimi për kufizimin e lirisë së mediave është i saktë. Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, thotë se Kosova mund të jetë shembull në rajon, siç thonë përfaqësues të Qeverisë, por jo për të mirë.

“Përfaqësues të Qeverisë mund të thonë se Kosova është shembull në rajon sa i përket kësaj çështjeje; me siguri mendojnë se Kosova është shembull për të keq në rajon sa i përket kësaj çështjeje, jo shembull për të mirë”.

“Me siguri që ata mendojnë se këto raporte janë bërë nga njerëz që nuk ia duan të mirën Kosovës dhe që duan ta heqin këtë qeveri. Mirëpo, këto prapë janë përralla, që i tregojnë përfaqësuesit e Qeverisë, sepse, fatkeqësisht, gjendja e lirisë së mediave vazhdon të mos jetë në nivelin, në të cilin do të duhej të ishte, aq më tepër kur ne po kërkojmë të bëhemi pjesë e Evropës dhe gjithçka ta masim me standardet e BE-së”,
deklaron Mushkolaj.

Raporti i fundit i Freedom House është në vazhdën e raporteve, jo vetëm të këtij grupi, por edhe të organizatave të tjera për të drejtat e njeriut, që kritikojnë Kosovën për rënie të lirisë së mediave.
XS
SM
MD
LG