Ndërlidhjet

EULEX refuzon esktradimin e Asllanit në SHBA


Një panel prej tre gjykatësve të EULEX-it e ka refuzuar një kërkesë të SHBA-ve për ekstradimin e Bajram Asllanit. Drejtësia amerikane kërkonte ekstradimin e Asllanit nën dyshimin se ai ka ka kryer vepra penale të “ofrimit të përkrahjes materiale për terroristët” si dhe “planifikimit për të vrarë, rrëmbyer, gjymtuar, ose lënduar personat ose dëmtimit të pronës në ndonjë shtet të huaj” - të dyja këto verpra të precizuara në kreun 18-të të Kushtetutës së SHBA-ve.

Në një komunikatë për media të misionit të EULEX-it, thuhet se Gjykata e Qarkut në Mitrovicë e ka refuzuar këtë rast mbi disa baza.

Mes tyre, ajo e ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë aktuale të Marrëveshjes për ekstradim të datës 21 tetor, 1901, të nënshkruar ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Serbisë.

Së dyti, thuhet në komunikatë, “edhe sikur marrëveshja të ishte e vlefshme, ajo nuk do t’i përmbushte kriteret për ekstradimin e qytetarëve të vet”.

Së treti, vepra penale e “ofrimit të përkrahjes materiale për terroristët” nuk është e përfshirë në Marrëveshjen e vitit 1901 si vepër penale, prandaj gjykatësit vendosën se nuk ka bazë për ekstradimin e z.Asllanit, sqaron në komunikatë EULEX-i.

Pika e katërt, mbi bazë të së cilës është kundërshtuar esktardimi, ka të bëjë me nenin 517 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, i cili sqaron se një banor i Kosovës mund të transferohet vetëm nëse vepra, për të cilën kërkohet transferimi, nuk është kryer në Kosovë.

“Në këtë rast, z. Asllani pandehet se është pajtuar me Hysen Sherifin që të bëjë përkthimin e videokasetave xhihadiste nga gjuha angleze në atë shqipe në Kosovë, ku paraqitet një sulmues vetëvrasës me bomba duke e sulmuar një konvoj automjetesh të SHBA-ve”, thuhet në komunikatë.

Dhe, në fund, paneli i gjyqtarëve të EULEX-it ka vlerësuar se “kërkesa e SHBA-ve nuk ka demonstruar në mënyrë të mjaftueshme se ekziston dyshimi i bazuar se z. Asllani i ka kryer veprat penale për të cilat ai akuzohet”.

Asllani qe arrestuar në muajin qershor të këtij viti dhe institucionet e Kosovës patën dhënë dritën jeshile për ekstradim. Kjo përmendet edhe në komunikatën e EULEX-it, ku thuhet se “shkëmbimi i notave diplomatike ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës për ekstradimin e z. Asllani nuk përbën marrëveshje ndërkombëtare (nuk e arrin këtë nivel), por ajo thjesht përmban aranzhimet për transferimin e z. Asllani”.
XS
SM
MD
LG