Ndërlidhjet

Qeveria, fajtore për euro-skepticizimin në Maqedoni


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Pavarësisht deklaratave optimiste nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian për zgjidhjen e shpejtë të kontestit rreth emrit nga Shkupi dhe Athina, megjithatë nuk ka asnjë sinjal për mbylljen e problemit mes dy vendeve në ditët apo javët në vazhdim, siç parashikohej në Bruksel.

Derisa të dyja palët thonë se janë në pritje të ndonjë propozimi nga ndërmjetësi i OKB-së, Metju Nimic, në Maqedoni është hapur debati mbi rritjen e skepticizmit të qytetarëve maqedonas ndaj integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Duke e komentuar një anketë të porositur nga Sekretariati i qeverisë për çështje evropiane, sipas së cilës, mbi 66 për qind e qytetarëve konsiderojnë se ruajtja e emrit është më e rëndësishme se integrimi në Bashkimin Evropian, analisti Xhelal Neziri thotë se anketa nuk është gjë tjetër, veçse alibi për të mos e ndryshuar emrin

Ndryshimi i emrit është kushti kryesor për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.

“Që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Nikolla Gruevski, politika ndaj Bashkimit Evropian ka stagnuar dhe paralelisht me këtë, është zhvilluar një politikë dhe propagandë kundër Bashkimit Evropian”.

“Nga e gjithë kjo rezulton se tash rreth 70 për qind e qytetarëve nuk dëshirojnë të anëtarësohen në këto struktura euroatlantike me kushtin e ndryshimit të emrit”,
vlerëson Neziri.

Neziri shton se Qeveria nuk është e interesuar për integrimin e vendit edhe për shkak të, siç thotë, frikës së monitorimit nga ana e Bashkimit Evropian të të gjitha aferave korruptive dhe kriminale që ndodhin në Maqedoni, pasi BE-ja, nuk lejon që pjesë e saj të jenë shtetet ku zhvillohen aktivitete jashtë kritereve të unionit.

Por, nga Qeveria thonë se rënia e besimit ndaj Bashkimit Evropian është pasojë e bllokimit të procesit integrues nga ana e Greqisë dhe, sipas saj, nuk ka asgjë të keqe në anketën e realizuar, pasi qytetarët duhet të pyeten për çështjet që kanë rëndësi thelbësore për vendin.

Pamje nga protestat e mbajtura më herët kundër ndryshimit të emrit të Maqedonisë (Foto nga arkivi)


“Nuk do të ishte i plotë procesi i shqyrtimit të integrimit evropian pa përfshirjen këtu edhe të problemit rreth emrit. Mendoj se nuk duhet të frikësohemi nëse parashtrojmë disa pyetje, e aq më pak nuk duhet të frikësohemi nga publikimi i rezultateve të tyre”
, deklaron Vasko Naumovski, zëvendëskryeministër për çështje evropiane.

Ndërkohë, sa i përket shqiptarëve, anketa e publikuar nxjerr rezultate krejt të kundërta me ato të qytetarëve maqedonas. Pjesa dërmuese e shqiptarëve në plan të parë kanë integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

Pra, ata do të pranonin ndryshimin e emrit, sikur kjo të ishte kushti kryesor për integrim në BE.

Por, sa punojnë partitë politike shqiptare, apo sa janë të përkushtuara që t’i realizojnë këto synime të qytetarëve shqiptarë? Analisti Xhelal Neziri thotë:

“Shqiptarët gjithmonë kanë pasur një politikë shumë inferiore në raport me politikën e jashtme të Maqedonisë dhe tëi ntegrimit të vendit në Bashkimin Evropian”.

“Asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur ide, vizion apo kuadro që në mënyrë të denjë t’i përfaqësojnë shqiptarët në politikën e përbashkët të Maqedonisë në raport me integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO”.

“Ata mundohen të bëjnë presion, mirëpo është një tentim i vonuar i partive politike shqiptare për t’u përfshirë në politikën e jashtme të Maqedonisë ”,
shprehet Neziri duke shtuar se partitë shqiptare, mund të ndikojnë në procesin e integrimin, vetëm nëse arrijnë që gjatë formimit të koalicioneve zgjedhore, të marrin drejtimin e Ministrisë së Jashtme apo të Sekretariatit të Qeverisë për çështje evropiane.

XS
SM
MD
LG