Ndërlidhjet

AAK: Veriu të shpallet "zonë e interesit nacional"



Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka adresuar kritika ndaj Qeverisë së Kosovës për mos integrim të pjesës veriore të Mitrovicës, ndërsa i rekomandon ekzekutivit që të koordinohet më mirë me EULEX-in për kthimin e ligjit edhe në atë pjesë.

Kritikat e AAK-së janë bërë të dielën gjatë një konference përmes sekretarit të kësaj partie, Burim Ramadani, sipas të cilit janë tri elemente që dëshmojnë se qeveria Thaçi nuk është duke punuar sa duhet për integrim të veriut të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës, e kryesuar nga Hashim Thaçi, asnjëherë nuk ka vendosur në prioritet të saj çështjen e veriut të Kosovës dhe nuk po e bënë as tash. Krejt çka kemi parë deri tash kanë qenë vetëm deklarata politike në kuptimin të marketingut politik dhe asnjëherë veprim nuk është parë, po flasim për veprimet të cilat janë konkrete dhe përmirësojnë jetën e qytetarëve atje”, ka thënë Ramadani.

Ai tha se edhe pse është hartuar Strategjia e Veriut, ajo nuk është zbatuar në asnjë element, madje as fondi i premtuar për këtë strategji nuk është ndarë.

Sipas tij, edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi duket se ka harruar të dërgojë njësitet speciale në veri, siç ka deklaruar publikisht, ndërsa e ka kritikuar kryeministrin Thaçi që në një adresim publik pati thënë se Kushtetuta dhe Ligjet e Kosovës mund të zëvendësohen me ide të reja.

“AAK i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që së pari të merr masat e duhura për kthimin e sundimit të ligjit dhe këto t’i koordinojë ngushtë me EULEX-in . Së dyti të vendos para drejtësisë të gjithë ata që po shkelin ligjin dhe frikësojnë qytetarët e Kosovës në atë pjesë dhe po ashtu që merren me kontrabandë dhe krim të organizuar t’i arrestojë dhe t’i qes para drejtësisë. Së treti të shpallë veriun e Kosovës “zonë të interesit nacional të vendit”, në mënyrë që të hapen mundësitë për rritjen e buxhetit për atë pjesë dhe së katërti të ndajë fondin për fillimin e zbatimit të strategjisë së veriut, e cila po ashtu është shumë e vonuar deri më tash”, ka thënë Burim Ramadani.
XS
SM
MD
LG