Ndërlidhjet

OKB: Hyseni thotë se shumë vende do ta njohin Kosovën


Ministri i jashtëm i Kosovës, Skender Hyseni, ka parashikuar se shumë vende, së shpejti, do ta njohin Kosovën, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se pavarësia ishte legjitime.

“Disa vende më kanë premtuar mua personalisht se do ta njohin Kosovën, pas vendimit të GJND-së”, tha zoti Hyseni, mbrëmë vonë, në selinë e Kombeve të Bashkuara.

Ai theksoi se Kosova e ka ripërtrirë fushatën e saj për sa më tepër njohje dhe për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

Në këtë kuadër ministri Hyseni u shpreh se beson se Kosova do të njihet edhe nga vendet, siç janë Spanja dhe Greqia.

Zoti Hyseni theksoi se pavarësia e Kosovës “nuk paraqet precedent për asnjë vend tjetër në botë”. Rrjedhimisht, “çfarëdo përpjekje për ta paraqitur Kosovën si precedent, në fakt, është përpjekje për ta dëmtuar shtetësinë e Kosovës dhe progresin e saj ndërkombëtar”, tha Skender Hyseni.
XS
SM
MD
LG