Ndërlidhjet

Afganistan: Petraeus udhëzon për evitim të viktimave civile


Komandanti i forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, David Petraeus, sot i ka shpallur udhëzimet më të reja, që theksojnë nevojën për evitimin e viktimave civile.

Reduktimi i numrit të viktimave civile është parë si çështje madhore për strategjinë e Shteteve të Bashkuara kundër kryengritësve, e cila ka për qëllim përfundimin e konfliktit.

Sipas rregullave të reja, para se të vendosin për përdorim të forcës, komandantët duhet të jenë të sigurt se civilët nuk janë të pranishëm, me përjashtim të rasteve të vetëmbrojtjes.

Gjenerali Petraeus, poashtu, ka theksuar nevojën që çdo herë të veprohet në partneritet me trupat afgane.

NATO-ja vlerësoi se udhëzimet “në mënyrë të qartë, e vendosin praninë e civilëve në qendër të secilit vendim, që involvon përdorim të forcës”.

Gjenerali Petraeus u bë komandant i forcave amerikane dhe i atyre të NATO-s në Afganistan, më 4 korrik, pas shkarkimit të gjeneralit McChrystal.
XS
SM
MD
LG