Ndërlidhjet

Iran: Mediat shtetërore e hedhin poshtë sulmin kundër presidentit


Mediat shtetërore iraniane sot i kanë përgënjeshtruar raportet për sulmin kundër presidentit Mahmud Ahmadinexhad.

Më herët, një faqe interneti e afërt me konservatorët tha se një granatë ka shpërthyer afër konvojit të presidentit Mahmud Ahmadinexhad, në Iranin perëndimor.

Faqja, e cila besohet të jetë e afërt me kryetarin e parlamentit, Ali Larixhani, tha se shpërthimi i sotëm ndodhi në qytetin Hamedan, kur Ahmadinexhad udhëtonte për të mbajtur një fjalim.

Raporti thotë se Ahmadinexhad nuk është lënduar dhe e ka mbajtur fjalimin, i cili është transmetuar në televizion.

Televizioni Al-Arabia raportoi se sulmuesi e kishte hedhur granatën përpara se të arrestohej.

Mirëpo televizioni shtetëror i Iranit, Press TV, tha se zyra e presidentit i ka quajtur të pavërteta pohimet për sulmin. Një televizion tjetër raportoi se shpërthimi ka qenë fyshekzjarre për ta përshëndetur ardhjen e presidentit.
XS
SM
MD
LG