Ndërlidhjet

Rusi: Qeveria thotë se hapësira e zjarreve është përgjysmuar


Qeveria e Rusisë thotë se zjarrfikësit kanë arritur ta reduktojnë hapësirën e tërësishme të përfshirë me zjarre në Rusinë qendrore në 24 orët e fundit. Por, ende qindra zjarre janë aktive.

Ministria e emergjencave tha sot se zjarret kanë përfshirë një hapësirë prej afro 93 mijë hektarësh, që është gati për gjysmë më e vogël se të dhënat e paraqitura dje.

Nga ana tjetër, numri i zjarreve aktualisht është mbi 600, ndërsa dje ishte raportuar për 557.

Raportet e fundit u paraqitën derisa zemërimi në shtypin e sotëm moskovit është shtuar lidhur me përgjigjjen zyrtare ndaj zjarreve më të mëdha në historinë e Rusisë, me ç’rast janë shtruar pyetjet edhe për taktikën e marrëdhënieve publike të kryeministrit Vlladimir Putin.

Putin gjatë ditës së djeshme ishte në një aeroplan, që me bomba uji i fikte zjarret në një nga rajonet më të rrezikuara.

Mediat, poashtu, kanë theksuar një varg dështimesh nga ana e zyrtarëve rajonalë, përfshirë edhe prefektin e Moskës, i cili po qëndron jashtë kryeqytetit në pushim, për shkak të “trajtimit të lëndimit sportiv”.
XS
SM
MD
LG