Ndërlidhjet

Dialogu politik - në krizë


Shkup
Shkup

Opozita dhe mazhoranca në mungesë të dialogut politik, punimet e Parlamentit pas një muaji pushim, të hënën i ka filluar pa ujdi për tejkalimin e dallimeve sa i përket miratimit të Rregullores së punës së Parlamentit.

Nënkryetari i partisë më të madhe maqedonase në opozitë LSDM, Zoran Zaev, thekson se VMRO-DPMNE në krye me kryeministrin Nikolla Gruevski, nuk i përfill sugjerimet e opozitës edhe atëherë kur ajo është e gatshme të bëjë lëshime në funksion të dialogut politik.

“Lëshimet tona kryekëput janë në funksion të zhvillimit të proceseve demokratike në shtet, si krijimin e klimës së mirëkuptimit. Por, kjo qasje jona, duket qartë se has në veshë të shurdhër nga shumica parlamentare, e cila në tërësi hedh poshtë sugjerimet e opozitës”,
thekson nënkryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Ndërkohë, VMRO-DPMNE nuk ka dashur ta komentojë heqjen nga rendi i ditës i pikave me të nxehta që kanë të bëjnë me Rregulloren e punës dhe agjendën evropiane, duke theksuar shkurt se angazhohen për tejkalimin e situatës së rënduar në Parlament.

Nga ana tjetër, deputeti i BDI-së, pjesë e koalicionit qeveritar, Safet Neziri thekson se krijimi sa më parë i një klime pozitive në institucionin ligjdhënës, paraqet domosdoshmëri në momentin që përcaktohet fati i perspektivës evropiane për vendin.

“Mendoj se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë është para një sfide të madhe veçanërisht deputetët e saj, duke ditur se brenda dy muajve do të vijë raporti nga institucionet evropiane - kjo është e para. Dhe, e dyta - mendoj se duhej që në start të fillojë me promovimin e vlerave të dialogut dhe mirëkuptimit politik si dhe mirëqenies politike, sidomos me vendosjen e dialogut politik”
, shprehet deputeti i BDI-së, Safet Neziri

Ndryshe, para fillimit të pushimeve të verës, kryeparlamentari Trajko Veljanovski ka pranuar se mungesa e dialogut politik ka bërë që Parlamenti të ngecë me miratimin e ligjeve me shenjë evropiane ku bën pjesë dhe miratimi i Rregullores së punës.

Megjithatë, Veljanovski shprehet optimist se me një dinamikë të përshpejtuar të punës, Parlamenti do të arrijë t`i përmbushë kërkesat para miratimit të raportit të Këshillit Evropian.

Por, ish-nënkryetari i Parlamentit, Stojan Andov, vlerëson se për t`u shmangur vonesat, është koha e fundit që Parlamenti të frymojë lirshëm, pa presionin e Qeverisë.

“Kompetencat e deputetëve të shumicës parlamentare u janë lënë në dorë të tjerëve, ose plotësisht u janë marrë. Temat serioze diskutohen jashtë Parlamentit, si për shembull te kryeministri, ose shefi i kabinetit të tij, e që jo rrallë herë ka dëshmuar se është më i fuqishëm se vetë kryetari i Kuvendit”.

“Kësaj praktike është koha e fundit që duhet t`i jepet fund, nëse Maqedonia nuk dëshiron ta humbë shansin e fundit të perspektivës evropiane”
, vlerëson deputeti i Partisë Liberale, Stojan Andov.
XS
SM
MD
LG