Ndërlidhjet

SHBA mbështet Kosovën në OKB



Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, Ivo Daalder dhe Uilliam Kennard kanë ritheksuar qëndrimin e prerë se Shtetet e Bashkuara do ta kundërshtojnë fuqishëm rezolutën e Serbisë, nëse ajo vihet në rend të ditës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, bëri të ditur përmes zyra për informim e presidentit të Kosovës.

Këtë zotim, ambasadorët e NATO-s e dhanë gjatë një takimi në Prishtinë, ku morën pjesë Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Christofer Dell.

“Presidenti Sejdiu, kryeministri Thaçi dhe ministri Hyseni njëzëri theksuan se kurrfarë rezolute që e konteston pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe sovranitetin e saj të plotë, pa marrë parasysh modifikimet që mund t’i bëhen, nuk është e pranueshme për Kosovën”, thuhet në komunikatë.

Tema të tjera, të cilat thuhet se janë diskutuar ndër të tjera gjatë takimit kanë qenë shtirja e sundimit të ligjit në të gjithë Kosovën dhe zhvillimi ekonomik i vendit me theks të veçantë te komunat e banuara me shumicë serbe.

Presidenti Sejdiu tha se institucionet e vendit janë të vendosura t’i përmbushin zotimet e dhëna për jetësimin e plotë të të drejtave dhe lirive për të gjithë qytetarët e Kosovës, sidomos për ata të komuniteteve pakicë, të cilat janë përfshirë edhe në Planin e Presidentit Ahtisaari dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Republika e Kosovës ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me të gjitha vendet fqinje të para, si dhe me vendet e tjera të rajonit, me përjashtim të Serbisë, e cila, fatkeqësisht, po e vazhdon politikën e saj destruktive ndaj vendit tonë”, citohet të ketë thënë presidenti Sejdiu.
XS
SM
MD
LG