Ndërlidhjet

Mitrovicë: Rrahje masive dhe shpërthim


Rreth njëqind persona besohet të kenë qenë përfshirë në një rrahje masive mbrëmë në Zveçan, gjatë së cilës së paku dy persona janë lënduar, njofton Policia e Kosovës.

Në një komunikatë për opinion, zyrtarët e rendit sqarojnë se “besohet që grupe qytetarësh serb, nga veriu i Mitrovicës dhe Zveçani, janë përfshirë në këtë rrahje masive”.

Policia e Kosovës në Zveçan, në pamundësi për ta kontrolluar situatën në qytet, ka kërkuar ndihmë nga policia e EULEX-it, pjesëtarë të së cilës kanë arritur ta vejnë situatën nën kontroll, thuhet në komunikatë.

Gurë dhe gjësende të tjera të forta janë hedhur në drejtim të forcave policore të EULEX-it nga grupet e personave të dyshuar, ndonëse nuk është raportuar për të lënduar nga ana e zyrtarëve të EULEX-it.

Gjatë kohës kur ka ndodhur rrahja masive në qytet, është dëgjuar një shpërthim në oborrin e furrës së bukës, pronë e një shqiptari, në rrugën “Mbreti Petër” në Zveçan. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale.

Autoritetet nuk besojnë se shpërthimi mund të jetë i ndërlidhur drejtpërsëdrejti me rrahjen.
XS
SM
MD
LG