Ndërlidhjet

IHR: Super-e thyer, super-e kursyer, super-fuqi?


"International Herald Tribune"

Shkruan: Thomas L. Friedman


Gjatë viteve të fundit, shpesh u kam thënë miqve evropianë: Pra, ju nuk e pëlqyet botën kur Amerika kishte tepër fuqi... Shikojeni tani se sa mund ta pëlqeni botën me shumë pak fuqi amerikane, pasi situata po kalon në një teatër gjeopolitik afër jush.

Po, Amerika ka kaluar nga fituesi suprem i Luftës së Dytë Botërore, me pistoleta dhe mjaltë për të gjithë, në një nga dy superfuqitë gjatë kohës së Luftës së Ftohtë. Më pas, u bë kombi i domosdoshëm pasi e fitoi Luftën e Ftohtë, ndërsa tani ka kaluar në “Superfuqinë e kursyeshme”. Mësohuni me këtë term. Ky është pseudonimi ynë i ri.

Pacifistët amerikanë nuk kanë nevojë më që të shqetësohen rreth “luftërave që i zgjedhin”. Ne nuk mund ta përballojmë më një pushtim të Grenadës.

Që nga fillimi i “Recesionit të Madh” të vitit 2008, është bërë e qartë se natyra e të qenët udhëheqës politik apo i korporatave, në Amerikë po ndryshon.

Gjatë pjesës më të madhe të kohës së pas Luftës së Dytë Botërore, të qenët udhëheqës nënkuptonte të ofrosh gjëra për popullin. Sot, dhe së paku gjatë dekadës së ardhshme, të qenët udhëheqës do të thotë të marrësh gjëra nga populli.

Thjesht, nuk ka shanse që udhëheqësit e Amerikës, derisa duhet të marrin më shumë gjëra nga votuesit e tyre, të mos shohin se cilat janë mundësitë që të kursejnë para në politikën e jashtme dhe në luftëra të huaja.

Politika e jashtme dhe ajo e mbrojtjes janë shenjë se si po dështohet që të vazhdohet ecja në të njëjtën rrugë. Shumë fusha të tjera janë të parat që përjetojnë shkurtesa buxheti.

Por, shkurtesat në buxhet po vazhdojnë, pasi qysh tani mund të dëgjoni paralajmërime të tilla nga Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates. Një superfuqi amerikane që kursen, sigurisht që do të ketë efekte, të cilat do të përhapen ngadalë në të gjithë globin.

“Superfuqia kursyese: Udhëheqja Globale Amerikane në kohën kur paratë e thata janë tejet të nevojshme” është në fakt titulli i një libri të ri të mikut dhe tutorit tim, Michael Mandelbaum, ekspert i politikave të jashtme në Universitetin John Hopkins.

Në vitin 2008, Mandelbaumi shkruante se “të gjitha format e pensioneve qeveritare dhe sigurimeve shëndetësore përbëjnë 4 % të bruto prodhimit të përgjithshëm në SHBA”.

Në shifrat aktuale dhe me lindjet e shumta që shpejt do të fillojnë të përfitojnë nga sigurimi social dhe kujdesi shëndetësor, në vitin 2050 “ata do të përbëjnë 18 % të çdo gjëje që e prodhojnë SHBA-të”.

Kjo çështje, e para së gjithash shpenzimi që të dalim nga ky recesion, “do ta transformojë në mënyrë fundamentale jetën publike në SHBA dhe si pasojë edhe politikën e jashtme.”

Gjatë 7 dekadave të fundit, edhe në politikën e jashtme dhe atë të brendshme, ajo që i përkufizonte kërkesat tona ishte termi “më shumë”, vlerëson Mandelbaum. Fakti përcaktues i politikës së jashtme në dekadën e dytë të shekullit 21 dhe më tutje do të jetë “më pak”.

Kur superfuqia e vetme e botës përballet me kaq shumë borxhe ndaj vetes dhe shteteve të tjera, çdokush do ta ndjejë këtë. Si?
Vështirë të parashikohet. Megjithatë, ajo që e di është se tiparet më unike dhe më të rëndësishme të politikës së jashtme amerikane, gjatë shekullit të kaluar, kanë qenë të nivelit ku diplomatët, forcat detare, ajrore dhe tokësore të SHBA-ve, i ofronin të mira materiale botës, nga detërat e hapura në tregjet e hapura dhe nga vetëpërmbajtja në kundër-terrorizmin, prej së cilës përfitonin edhe shumë të tjerë përpos nesh.

Fuqia e SHBA-ve ka qenë forca kyçe që e mirëmbante stabilitetin global dhe ofronte qeverisje globale gjatë 70 vjetëve të fundit. Ky rol nuk do të zhduket, por pa dyshim se do të tkurret.

Fuqitë e mëdha janë zbehur edhe më parë. Britania për shembull. Por, siç shkruan edhe Mandelbaum, “kur Britania nuk mund të ofronte më qeverisje botërore, atë e zëvendësuan SHBA-të”. Asnjë shtet tani nuk qëndron i gatshëm t’i zëvendësojë SHBA-të. Pra, humbja e paqes ndërkombëtare dhe prosperitetit ka potencialin që të rritet, derisa Amerika tërhiqet.

Para së gjithash, Evropa është e pasur, por vetëm vajton. Kina është e pasur si shtet, por ende tepër e varfër në aspektin e pasurisë për kokë banori, prandaj do të detyrohet të mbesë e përqendruar në çështjet e brendshme dhe te rajoni i saj.

Rusia, e dehur me naftë, mund të shkaktojë probleme, por jo aq sa të projektojë pushtet. “Rrjedhimisht, bota do të bëhet më e parregullt dhe më e rrezikshme”, parasheh Mandelbaum.

Si të lehtësohet ky trend? Mandelbaum argumenton për tri gjëra: E para, ne kemi nevojë që të kthehemi në rrugën e qëndrueshme të rritjes ekonomike dhe të riindustrializmit, me çfarëdo sakrifice dhe konsensusi të nevojshëm politik.

E dyta, duhet të bëjmë listën e prioriteteve. Ne kemi shijuar një shekull ku mund ta kishim, nëse flasim për politikën e jashtme, atë që është vitale dhe atë që është e dëshirueshme.

Për shembull, mund të supozoj se me pakufi njerëz dhe para, ne mund të arrijmë sukses në Afganistan. Por, a është vitale një gjë e tillë? Jam i sigurt që është e dëshirueshme, por a është edhe vitale?

Krejt në fund, ne duhet ta mbështesim baraspeshën tonë dhe ta dobësojmë atë të armiqve. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është me një taksë shumë më të lartë të benzinës.

Amerika është shumë afër që të mësojë një leksion të vështirë: mund të huazosh arritjen deri te prosperiteti në plan afatshkurtër, por jo të bëhesh fuqi gjeopolitike në plan afatgjatë. Kjo kërkon një motor të vërtetë të rritjes ekonomike.

Për ne, vrapimi i shkurtër tashmë ka mbaruar. Ishte një kohë që kur mendonim seriozisht për politikën e jashtme amerikane, nuk ishte e nevojshme të mendonim seriozisht për politikat ekonomike. Kjo kohë gjithashtu ka përfunduar.

Një Amerikë që mbahet peng nuk do të merret aq seriozisht nga të tjerët. (a.h.)
XS
SM
MD
LG