Ndërlidhjet

Kundër BE-së, pro Rusisë!


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Serbët e veriut, të mbledhur rreth organit paralel të quajtur Kuvendi i komunave dhe vendbanimeve serbe, i kanë bërë thirrje sot Qeverisë në Beograd, që të mos lëshojë pe karshi Bashkimit Evropian, në lidhje me projekt-rezolutën për Kosovën, të deponuar në Asamblenë e Përgjithshme.

Kjo strukturë paralele ka miratuar një deklaratë, në të cilën thuhet se Kosova mbetet pjesë përbërëse e Serbisë, ndërsa u kërkohet organeve shtetërore serbe që ta ruajnë këtë, siç e quajnë, të drejtë të patjetërsueshme.
Asgjë e as integrimi evropian nuk guxon të jetë arsye për kompromis me fuqitë perëndimore, që faktikisht do të thoshte heqje dorë e Serbisë nga e drejta e saj e patjetërsueshme për popullin e saj...

“Organet shtetërore të Serbisë janë të obliguara që aktivitetet ndërkombëtare dhe ato të brendshme t’i bazojnë në faktin se askush nuk ka të drejtë që në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së të punojë në përgatitjen e dokumenteve, që do ta vinin në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë”.

“Asgjë e as integrimi evropian nuk guxon të jetë arsye për kompromis me fuqitë perëndimore, që faktikisht do të thoshte heqje dorë e Serbisë nga e drejta e saj e patjetërsueshme për popullin e saj, për pjesën e saj dhe për tërësinë territoriale të saj”
, lexoi pjesë të deklaratës Dobrosav Dobriq, nënkryetar i administratës paralele të Zveçanit.

Kjo deklaratë vjen në kohën kur vijnë sinjale se Beogradi mund të ndryshojë projekt-rezolutën për Kosovën, të deponuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Kuvendi paralel serb është mbledhur në ditën kur në Bruskel, presidenti serb, Boris Tadiq, është takuar me kryediplomaten Ketrin Eshton, për të diskutuar rezolutën.

Tone të ashpra rreth politikës së Beogradit zyrtar janë dëgjuar nga Marko Jakshiq, njëri nga udhëheqësit e të ashtuquajturit Kuvend i komunave dhe vendbanimeve serbe.
Serbia pa Kosovën kurrë nuk do të jetë shtet i vërtetë...

“Serbia pa Kosovën kurrë nuk do të jetë shtet i vërtetë. Ajo mund ta ketë edhe Republikën Serbe, siç thonë zyrtarët e kësaj republike, por pa Kosovën ajo nuk do të ketë ardhmëri”.

“Ndërsa, ardhëmria është jo në bashkëpunimin e Serbisë me BE-në, apo me SHBA-të, por me Rusinë. Nëse duam ta ruajmë Kosovën, nëse duam të forcohemi ekonomikisht, ushtarakisht, politikisht, diellin e kemi kah lindja. Vetëm bashkëpunimi me Rusinë mund t’i jetësojë këto”
, tha Jakshiq.

Politikanët që udhëheqin strukturat paralele në komunat jo vetëm në veri të vendit, i kanë bërë thirrje Beogradit që të mos hyjë në bisedime teknike me Prishtinën.

“Serbët në Kosovë janë të shqetësuar se dialogu për statusin mund të zëvendësohet me bisedime teknike me Serbinë. Një lëvizje e tillë e Qeverisë serbe do të nënkuptonte pranimin e Planit Ahtisari, që parasheh këso bisedimesh të fqinjësisë së mirë me Beogradin”, tha Dobrosav Dobriq.

Lexoni edhe këtë:
Modifikimi i rezolutës dhe veriu

XS
SM
MD
LG