Ndërlidhjet

PE: Koha për dialog konstruktiv të Prishtinës dhe Beogradit



Kryetari i Parlamentit Evropian, Jerzi Buzek tha sot se ka ardhur koha që udhëheqësia e Kosovës dhe e Serbisë të ulet në tavolinën e bisedimeve, dhe të hartojë një marrëveshje stabile dhe përfundimtare në interes të qytetarëve të vet.

"Evropa është e ardhmja e këtij rajoni dhe popullit të tij. Udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës, duhet që me ndihmën e BE-së, të bëjnë çmos për të siguruar se nuk ka pengesa të pakapërcyeshme në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE", thuhet në komunikatën e lëshuar në Strasburg, pas takimit të Buzek me nënkryetarin e Qeverisë së Kosovës, Ramë Manaj.

Buzek theksoi se Parlamenti Evropian gjithmonë e ka mbështetur Kosovën dhe aspiratat evropiane të saj, dhe se në rezolutën e 8 korrikut, i ka ftuar vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ta njohin pavarësinë e saj.

Kryetari i Parlamentit Evropian ka përshëndetur "stabilitetin e përgjithshëm politik në Kosovë", por ka ftuar Qeverinë e Kosovës të ndërmarrë hapa të vendosur në luftën kundër korrupcionit, sigurimin e gjyqësisë së pavarur, respektimin e sundimit të ligjit dhe lirisë së medias, si dhe përshpejtimin e reformave në administratën publike.
XS
SM
MD
LG