Ndërlidhjet

WP: Myslimanët duhet të besojnë te SHBA-të


Flamuj në gjysmështizë për nder të viktimave të 11 Shtatorit...
Flamuj në gjysmështizë për nder të viktimave të 11 Shtatorit...
"Washington Post"

Shkruan: Tariq Ramadan



Vetëm pak kohë më parë, Evropa dukej të ishte ajo pjesë e perëndimit që i druhej më së shumti Islamit. Ishte pikërisht Evropa e përfshirë në kundërthëniet rreth përdorimit apo ndalimit të shamisë së kokës apo në debatet për ndërtimin e xhamive në Francë, Zvicër, Gjermani e Holandë.

Në javët e fundit duket se raportet e Amerikës me Islamin kanë ndryshuar. Beteja për ndërtimin e një qendre islamike në afërsi të vendit ku dikur ishte Qendra Botërore e Tregtisë apo përplasjet pas planeve të pastorit në Florida për djegien e Kuranit, duket se kanë krijuar shqetësime të ngjashme edhe në SHBA.

Në këto kushte, gazetarë e intelektualë, për ironi dhe ata evropianë, kanë nxituar të flasin për rritjen e islamofobisë në Shtetet e Bashkuara.

Anketat tregojnë se rreth gjysma e amerikanëve kanë qëndrime të pafavorshme ndaj fesë islame dhe frika nga ky besim në Shtetet e Bashkuara është e pamohueshme.

Por, a është kjo ndjesi e njëjtë me ksenofobinë apo racizmin? Nuk besoj së kemi barazi të situatave. Shqetësime të kuptueshme dhe normale mund të shndërrohen në një mohim aktiv dhe ndonjëherë dhe në racizëm të hapur, kur politika dhe mediat nxisin flakët e një zjarri të tillë. Kjo është ajo që po ndodh aktualisht në SHBA.

Shumica e amerikanëve nuk dinë shumë rreth besimit islam, por megjithatë i tremben atij si diçka e dhunshme dhe e huaj për shoqërinë e tyre. Problemi me të cilin duhet të përballemi këtu nuk është urrejtja, por padija.

Sfida për myslimanët e Amerikës është të respektojnë drojën e bashkëqytetarëve të tyre, derisa duhet të përballen me keqpërdorimin politik të drojës së qytetarëve të zakonshëm.

Percepsionet negative për Islamin nuk janë diçka e re në perëndim. Ato nuk fillojnë më 11 shtator 2001, por datojnë nga mesjeta.

Në fund të shekullit XX, këto dolën në sipërfaqe në kohë krizash, siç ishte Revolucioni Islamik në Iran apo rasti i dënimit me vdekje të Salman Ruzhdisë. Së fundi, sulmet terroriste të 11 Shtatorit, por dhe ato në Bali, Madrid e Londër, së bashku me luftërat në Afganistan e Irak, si dhe konflikti izrealito-palestinez ushqejnë frikën se Islami është armik.

Myslimanët amerikanë duhet t’i kuptojnë këto frika dhe të sillen drejt. Pavarësisht nga situata aktuale, Shtetet e Bashkuara nuk janë tradicionalisht anti-myslimane në kuptimin fetar apo racial. Kjo nuk është kohë për izolim intelektual, social, politik, ekonomik apo kulturor.

Myslimano-amerikanët duhet të mësojnë nga përvoja e afrikano-amerikanëve. Dikur të skllavëruar, aktualisht janë pjesë e debatit kryesor që zhvillohet në politikën dhe në mediat amerikane.

Beteja e afro-amerikanëve nuk ka përfunduar ende, por ata janë dëshmitarë të një rruge që duhet ndjekur nga myslimano-amerikanët.

Me një përfshirje më të madhe, myslimanët mund ta kuptojnë më mirë e më në thellësi se çfarë do të thotë të jesh amerikan. Jeta nuk është thjesht çështje e pretendimit të të drejtave, por edhe e pasjes së një ndjesie kolektive.

Të gjithë amerikanët, myslimanë, hebrenj, të krishterë, hindu, budistë, ateistë apo agnosticistë, duhet të jenë të vendosur të nxisin një shoqëri të drejtë e pluraliste, që u bën ballë frikash të paarsyeshme.

Pavarësisht kundërthënieve, kudo që ato shfaqen në Nju Jork, Florida apo gjetkë, ne duhet të besojmë te forcat pozitive që veprojnë e janë të qëndrueshme në shoqërinë amerikane. (i.b.)
XS
SM
MD
LG