Ndërlidhjet

Turqia - aleati më i mirë i Amerikës?


Takimi Obama-Erdogan. Ankara, 2009.
Takimi Obama-Erdogan. Ankara, 2009.
“Foreign Affairs” (Stephen Kinzer)

Ndonëse Turqia po distancohet nga SHBA-të rreth disa çështjeve, angazhimi i Ankarasë për variant më fleksibil të Islamit është në favorin e Shteteve të Bashkuara.

Në Turqi vazhdon konflikti dyshekullor ndërmjet “perëndimorëve” (të personifikuar në angazhimin e Ataturkut për revolucion kulturor dhe sekularizëm) dhe “të moderuarve” (që synojnë demokracinë dhe pronën private, por që gjithashtu synojnë ruajtjen e besimit dhe kulturës tradicionale, që është politikë e qeverisë së tashme islamike).

Në librin “Ripërtëritja: Ardhmëria e Iranit, Turqisë dhe SHBA-ve”, Stiven Kincer (Stephen Kinzer), korrespondent shumëvjeçar amerikan nga Lindja e Mesme, propozon kthesë radikale në politikën e Uashingtonit ndaj këtij rajoni.

Ai konsideron se SHBA-ve u duhet partneritet me Turqinë dhe Iranin, me qëllim të krijimit të “trekëndëshit të fuqishëm”, që do të promovonte kulturën e demokracisë dhe do të luftonte ekstremizmin.

Ky argument, kuptohet, është në kundërshtim me proceset e tashme. Në këtë çast, Irani me ideologjinë radikale dhe programin ekspansiv bërthamor, është ndër kokëdhëmbjet më të mëdha të Uashingtonit.

Nga ana tjetër, Turqia, ndonëse aleate shumëvjeçare e SHBA-ve, sfidoi këto raporte. Në qershor, përfaqësuesi i Turqisë në Këshillin e Sigurimit votoi kundër propozimit të SHBA-ve për zbatimin e sanksioneve kundër Teheranit.

Këto ditë në Uashington disa pyesin: “Kush e humbi Turqinë”?, në vend se të shqyrtojnë bashkëpunimin më të gjerë me këtë vend.

Megjithatë, projekti i Kincerit për aleancën amerikano – turko – iraniane është i karakterit afatgjatë, ndërsa ka bazë të mjaftueshme në historinë bashkëkohëse të këtij rajoni.

Për dallim nga vendet tjera islamike, Turqia dhe Irani kanë përvojë së paku 100-vjeçare në betejën për liritë politike, gjatë së cilës kanë “thelluar të kuptuarit e demokracisë dhe synimin për të”. Kjo do të thotë se ata ndajnë disa vlera bazë me Shtetet e Bashkuara.

Pos kësaj, Turqia dhe Irani kanë shtresë të mesme të arsimuar, që është themel për një shoqëri të fuqishme civile. Këto dy vende ndajnë edhe qëllime strategjike me Shtetet e Bashkuara: synimin që Iraku dhe Afganistani të stabilizohen dhe të godasin lëvizjet radikale sunite, siç është Al Kaida.

Sidoqoftë, Kincer thotë se ky “trekëndësh i forcës” nuk mund të krijohet në botën aktuale. Ai shton se për këtë qëllim, Irani do të duhej të ndryshonte rrënjësisht dhe të bëhet shoqëri demokratike.

Kjo është një çështje shumë e vështirë dhe është krejt e paqartë se si dhe kur mund të jetësohet një transformim i tillë.


”Perëndimorët” dhe “të moderuarit”

“Shtylla” e dytë mbi të cilën do të mbështetej ky trekëndësh – partneriteti amerikano-turk, është më realiste, duke pasur parasysh bashkëpunimin shumëvjeçar. Madje, orientimi i ri i Turqisë mund të shtojë përparësitë e raporteve amerikano – turke.

Për të kuptuar si dhe pse, duhet kthyer historisë së re të Turqisë. Nga fillimi i shekullit të kaluar, Kemal Ataturku bëri reformën pro – perëndimore dhe hapin e madh drejt sekularizmit.

Mjerisht, forcat e errëta mbijetuan në nëntokë dhe sërish u paraqitën nën patronatin e partive kuazi fetare.

Në thelbin e këtij rrëfimi është beteja ndërmjet orientimit perëndimor dhe errësirës. Por, siç thotë Kincer, ndasia e vërtetë në Turqi ekziston ndërmjet “perëndimorëve” dhe “të moderuarve”.

Derisa “perëndimorët”, në krye me Ataturkun, synuan reforminin e Turqisë, që ajo të bëhet shtet evropian me theks në kulturën dhe sekularizmin perëndimor, “të moderuarit” janë angazhuar për ndryshime politike dhe ekonomike, por njëkohësisht kanë insistuar në ruajtjen e kulturës dhe besimit tradicional.

Derisa “perëndimorët” janë angazhuar për inkorporim të vlerave nga Perëndimi dhe kishin suspenduar gati të gjitha institucionet fetare, “të moderuarit”, nga ana tjetër, ishin angazhuar për demokraci dhe reformim të Turqisë përmes zhvillimit ekonomik, përfshirë tregtinë e lirë dhe ndërmarrjen private.

Nëse Kemal Ataturku ishte personifikim i “perëndimorëve”, kryeministri Adnan Menderes, që mori pushtetin në vitin 1950, në zgjedhjet e para të lira në vend, shpejt u bë personifikim i “të moderuarve”.

Ai çoi vendin drejt zhvillimit të madh ekonomik, që i mundësoi të fitojë zgjedhjet tri herë radhazi.
Por, për shkak të politikës së tij, ai nuk u pëlqye nga “perëndimorët” dhe junta pro – Ataturkut e vrau në vitin 1961.

Flakadanin e “të moderuarve” gjatë viteve 1980 e mori Turgut Ozal (që më vonë u zgjodh president). Në fund të vitit 2002, linjën e “të moderuarve” e vazhdoi themeluesi i Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) dhe kryeministri aktual Rexhep Taip Erdogan.

Burim i forcës politike të kësaj partie është islamizmi. Por, me kohë, për shkaqe pragmatike, kjo parti është transformuar, sepse, pavarësisht retorikës islamike, ka hequr dorë nga synimi i vërtetë i islamistëve – nga krijimi i shtetit islamik.

Dallimi ndërmjet “perëndimorëve” dhe “të moderuarve” ndikon edhe në politikën e jashtme të Turqisë. Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë, ish-Bashkimi Sovjetik dominonte në Ballkan, në Kaukaz dhe në Lindjen e Mesme, kështu që Turqia ndjehej e izoluar dhe e rrethuar nga armiqtë.

Por, në këtë aspekt, shumëçka ndryshoi në vitin 2002. Kjo parti (AKP) menjëherë u ballafaqua me dilemën vendimtare – të lejojë apo jo forcat amerikane të shfrytëzojnë territorin e Turqisë për ndërhyrje në Irak.

E ballafaquar me dilemën ndërmjet aleatit kryesor dhe një lufte jo të popullarizuar në Turqi, qeveria e formuar nga AKP pranoi hapjen e kufijve të Turqisë për trupat amerikane, por Parlamenti, në të cilin shumicën e kishte pikërisht kjo parti, refuzoi një gjë të tillë dhe kjo ishte befasi e madhe për SHBA-të dhe shumë të tjerë.

Ndonëse fillimisht Ankaraja zyrtare nuk e dinte nëse kishte vepruar mirë, me kohë u krijua gati konsensus kombëtar se Turqia kishte bërë mirë që kishte mbetur anash luftës në Irak.

Për shkak të refuzimit për të mbështetur ndërhyrjen në Irak, Turqia fitoi shumë popullaritet në Lindjen e Mesme, që forcoi jo vetëm prestigjin e diplomacisë së saj, por edhe lidhjet ekonomike dhe të biznesit.

Në këtë kontekst duhet vlerësuar edhe votimin e Turqisë kundër sanksioneve të OKB-ë ndaj Iranit. Turqit e kuptuan se mund të përfitojnë – në ndikim dhe ekonomikisht – duke refuzuar në raste të caktuara t’u bashkohen SHBA-ve, kur vlerësojnë se veprimet janë shumë agresive.

Ndonëse Turqia ka shumë qëllime të përbashkëta në politikën e jashtme me Shtetet e Bashkuara, ajo synon që ato t’i realizojë përmes “metodave tjera – më pak të dhembshme” (soft power), që është parë edhe me qasjen e fundit ndaj Iranit.

“Të moderuarit” e Turqisë nuk janë as socialistë si lideri i Venezuelës, Hugo Çavez, që synojnë suprimimin e sistemit kapitalist, dhe as islamistë radikalë, ngjashëm me presidentin e Iranit, Mahmud Ahmedinexhad, që synon shkatërrimin e Izraelit.

Në fakt, Erdogan, për disa vite, kishte synuar forcimin e raporteve diplomatike të Turqisë me Izraelin, duke dënuar antisemitizmin, duke vizituar Tel Avivin, duke u hapur hapësirën kompanive izraelite për biznes në Turqi, duke mirëpritur në Ankara presidentin e Izraelit, Shimon Peres, dhe duke iniciuar bisedime të drejtpërdrejta ndërmjet Izraelit dhe Sirisë.

Kthesa në këto raporte ndodhi nga fundi i vitit 2008, kur Izraeli ndërmori sulmet në Gazë – që Erdogan i cilësoi si ofendim, sepse, vetëm një ditë më parë, kishte pritur kryeministrin izraelit, Ehud Olmert, për bisedime paqësore.

Sipas fjalëve të ministrit të Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davotuglu, qeveria e tashme angazhohet për Lindje të Mesme në paqe dhe të integruar përmes tregtisë dhe investimeve. Kjo qasje, në masë të madhe, përputhet me qëllimet e SHBA-ve.

Kuptohet, ekzistojnë edhe dallimet ndërmjet Turqisë dhe SHBA-ve dhe rrjedhimisht Ankaraja do të vazhdojë të distancohet nga SHBA-të kur ajo ka qasje tjetër.

Është ky lajm i mirë apo jo për SHBA-të? Kjo varet se si dikush vështron synimet në politikën e jashtme. Nëse diplomacia amerikane do të mbështesë partnerë që janë të pavarur në promovimin e sigurisë dhe prosperitetit në botën gjithnjë e më të ndërlikuar, Turqia e re është vlerë e çmuar.

Fakti që Turqia ka “ikur nga orbita amerikane”, i ka mundësuar prestigj që do të jetë i frytshëm edhe për Shtetet e Bashkuara. Tash Turqia mund të shkojë edhe në ato vende, të angazhojë partnerë dhe të bëjë marrëveshje, që Amerika nuk mundet.


Sinteza e Islamit, demokracisë dhe kapitalizmit

Pos diplomacisë, kontributi më i vlefshëm i Turqisë për këtë rajon të vuajtur, mund të jetë sinteza e Islamit, demokracisë dhe kapitalizmit. Në Perëndim është konsideruar se Turqia, në të cilën pushtetin e kishin “perëndimorët”, pikërisht ofronte këtë model.

Por, gjatë pjesës më të madhe të historisë moderne, bota islamike shikonte Turqinë si vend pa “legjitimitet fetar” që sillet si “shërbëtore e Uashingtonit”.

Tash, duke u bërë më islamike, më moderne dhe më e pavarur, Turqia është bërë më tërheqëse për arabët. Sipas një hulumtimi të para do kohe, rreth 75 për qind të të anketuarve në Egjipt, Jordani, Liban, në territoret palestineze, Arabinë Saudite dhe Siri e shikojnë Turqinë si model të sintezës së Islamit dhe demokracisë.

Versioni turk i Islamit gjithnjë ka qenë më fleksibil nga të tjerët, siç është vehabizmi saudit. Për më shumë, dekadave të fundit, Islami turk është bërë edhe më liberal, për faktin që klasa e mesme ka mbështetur reformat teologjike.

Kuptohet, Turqia është larg për të qenë vend i përsosur. Dy shekujt e luftës për t’u bërë shtet modern dhe demokratik nuk kanë përfunduar. Ka mbetur shumë për t’u bërë. Erdogani do të duhet të tregojë më shumë tolerancë ndaj mendimit tjetër, nëse dëshiron fitoren në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Duhet të jetë i kujdesshëm që të shmangë rrezikun e afrimit të tepruar me Iranin, Hamasin, ose me islamistët tjerë, që do të rrënonte kredibilitetin e Turqisë në Perëndim dhe baraspeshën që e synon presidenti Abduallah Gyl.

Ndërkohë, vendi duhet të angazhohet në zgjidhjen e problemit të brendshëm, më të rëndë: konfliktit të armatosur 25 – vjeçar me nacionalistët kurdë.

Turqia duhet të zhvillohet ende për t’u bërë lojtar me ndikim global në arenën ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara duhet ta kuptojnë se u “mungojnë disa instrumente historike dhe kulturore për të vepruar me sukses në Lindjen e Mesme”.

Nëse e përqafojnë këtë realitet dhe pranojnë se u duhet ndihmë, “Turqia do të bëhet miku (aleati) më i mirë amerikan”. Turqia është e gatshme të luajë këtë rol.
XS
SM
MD
LG