Ndërlidhjet

Ndikimi i tensioneve në bisedime


(Fotografi ilustruese)
(Fotografi ilustruese)
Autoritetet e rendit thonë se dy ditë pas incidentit në urën mbi lumin Ibër, ku u lënduan 5 civilë dhe një polic i Kosovës, ndërsa u plagos me armë zjarri një polic i EULEX-it, situata e sigurisë është nën kontroll.

Incidenti i fundit ndëretnik mes shqiptareve dhe serbëve mbi urën e lumit Ibër është pasuar nga akte të ndryshme dhune në javët e fundit, ndër to vrasja e një të riu shqiptar në Kodrën e Minatorëve, si dhe shpërthime me lëndë plasëse pa pasoja në njerëz.

Bajram Rexhepi
Tensionimi i tillë i situatës, sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, mund të ketë ndikim indirekt dhe në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit. Por, edhe e kundërta, bisedimet mund të shkaktojnë tensionime.

Në qarqe të ndryshme flitet se një ndër temat do të jetë edhe zgjidhja e problemit të veriut.

“Në mënyrë indirekte mund të shkaktojnë tensionime, edhe pse drejtpërdrejt nuk lidhen me bisedimet e ardhshme. Por, gjithnjë ekziston një potencial negativ në veri dhe nganjëherë një shkëndijë e vogël është e mjaftueshme që t’i ngrejë tensionet dhe të shkaktojë dhunë, siç ka ndodhur para dy ditësh në Mitrovicë”.

“Megjithatë, bisedimet e ardhshme për bashkëpunim mes dy shteteve të pavarura, për interes të përbashkët, mund të kenë ndikime negative në mënyrë indirekte”
, thotë Rexhepi.

Në anën tjetër, analisti politik, Agron Bajrami, thotë se bisedime për veriun do të mbaheshin, me ose pa incidentet e fundit në veri. Por, Bajrami shpreh shqetësimin e përfshirjes së Serbisë në bisedimet për veriun, që shihet si çështje e brendshme e Kosovës.

“Problemi për mua në këtë pikë qëndron në faktin se kjo do të mund të diskutohej me Serbinë, pra një çështje e brendshme e Kosovës do të diskutohej me një shtet fqinj”.

“Kjo mendoj se do të shkaktojë, të them ashtu, një destabilizim politik të Kosovës, por do të jetë një trend negativ për ne, meqenëse nuk besoj se Serbia do të kishte të drejtë të diskutojë rregullimin e brendshëm të Kosovës në çfarëdo mënyre”
, shprehet Bajrami.

Në veriun e banuar me shumicë serbe vazhdon funksionimi i strukturave paralele, të financuara nga Qeveria e Serbisë. Me gjithë zotimet, shpërbërja e tyre nuk ndodhi tash 11 vjet. Prania e këtyre strukturave, sipas analistëve, ka bërë që zgjidhja e problemit të veriut të marrë një karakter të veçantë.

Përflitet edhe mundësia e dhënies së një statusi të veçantë. Agron Bajrami shpjegon:
Unë besoj se tashmë veriu e ka një status special, në kuptimin që shikohet ndryshe nga shumë anë...

“Unë besoj se tashmë veriu e ka një status special, në kuptimin që shikohet ndryshe nga shumë anë, përfshirë edhe nga segmente të institucioneve në Kosovë... shikohet ndryshe nga pjesët tjera të Kosovës. Dhe realisht në terren, situata është ndryshe atje. Andaj, situata e imponon këtë këndvështrim në shumë kryeqytete të botës perëndimore”.

Por, ministri Rexhepi hedh poshtë çdo mundësi të zgjidhjes së problemit jashtë asaj që del nga Pakoja e Ahtisarit.

“Këto janë tendenca të Serbisë dhe të disa partive radikale në veri, por ne e kemi shumë të qartë, është deklarim i Qeverisë, vendim i Qeverisë, por edhe unë e kam përmendur disa herë, se jashtë Pakos së Ahtisarit ne nuk kemi alternativë dhe nuk do të pranojmë forma të tjera. Ky është kompromisi maksimal që është bërë bashkë me ndërkombëtarë”, thekson Rexhepi.

Pas kthimit nga Nju Jorku, ku mori pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilën u miratua rezoluta për Kosovën e deponuar nga Serbia, kryeministri Hashim Thaçi ka përjashtuar në tërësi çfarëdo statusi special për veriun.

Rezoluta e Serbisë, e bashkësponsorizuar nga Bashkimi Evropian, nuk përcakton agjendë të bisedimeve, por përshëndet gatishmërinë e Bashkimit Evropian që ta lehtësojë procesin e dialogut mes palëve.
XS
SM
MD
LG