Ndërlidhjet

Papa filloi vizitën historike në Britani



Papa Benedikti XVI e filloi sot vizitën katër ditore në Britani. Kjo është vizita e parë e papës pas 28 vjetësh, dhe e para vizitë shtetërore.

Mbretëresha Elizabeth e priti papën në rezidencën e saj në Edinburg në Skoci.

“Në kohët e fundit ju keni thënë se religjionet nuk mund të bëhen kurrë forcë tërheqëse e urrejtjes, dhe se dhuna dhe ligësia kurrë nuk mund të arsyetohen duke u thirrur në emrin e Zotit. Sot, në këtë vend, ne qëndrojmë të bashkuar në këtë bindje. Liria e adhurimit është palca e shoqërisë sonë tolerante dhe demokratike”, tha Mbretëresha Elizabeth.

Gjatë vizitës, pontifikati shpreson t’i përmirësojë marrëdhëniet e shtrënguara ndërmjet kishës Katolike dhe Anglikane.

Vizita është nën hijen e skandaleve të abuzimeve seksuale që e kanë lëkundur besimin në kishën.

Dje, kundërthëniet shpërthyen pasi një këshilltar i lartë i papës, kardinali gjerman Valter Kasper, u citua të ketë thënë se Britania moderne i ngjan një vendi të botës së tretë ku ndihet një “ateizëm agresiv”.

Vatikani më pas tha se Kasper e ka anuluar udhëtimin e tij në Britani për shkaqe shëndetësore.
XS
SM
MD
LG