Ndërlidhjet

Zgjedhjet afgane nisin me dhunë dhe parregullsi


Procesi votues në Afganistan, për zgjedhjet parlamentare, ka nisur i përcjellur nga dhuna dhe parregullsitë.

Agjencia franceze e lajmeve AFP citon një polic në një krahinë lindore të vendit që thotë se dy persona janë vrarë dhe një është plagosur nga një sulm me raketë.

3 persona të tjerë, 2 prej të cilëve punonjës zgjedhor janë lënduar në një sulm me bombë në një qendër votimi në krahinën Khost pasi votimi kishte nisur.

Një raketë ka goditur kryeqytetin Kabul para agimit derisa është raportuar edhe për sulme në krahina të tjera si në Xhalabad, Kandahar, Badakshan, Herat dhe krahinën Ghazni.

Dhuna ka nisur pasi talibanët, grupi militant islamik që ka bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve, janë kërcënuar se do kryejnë sulme për të dëmtuar procesin votues.

Përpos sulmeve, procesi zgjedhor tashmë ka regjistruar edhe parregullsitë e para. Një nga ankesat është se ngjyra e cila ka për qëllim identifikimin e atyre që e kanë ushtruar të drejtën e votës, pas votimit është fshirë.

Megjithë këto të dhëna, shumë qendra votimit janë të hapura dhe duket se po operojnë pa ndonjë incident.

Pasi votoi në Kabul, Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, tha se ky proces votues do e ndihmojë vendin të shkojë drejtë “një të ardhme më të mirë.”

Në zgjedhjet afgane 2500 kandidatë po garojnë për Parlamentin 249 vendësh.
XS
SM
MD
LG