Ndërlidhjet

OKB: Obama shpalli qasje të re në zhvillimin ndërkombëtar


Presidenti Barak Obama ka shpallur ndryshim në mënyrën se si Shtetet e Bashkuara u japin ndihma zhvillimore vendeve të varfëra.

Duke folur mbrëmë vonë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti amerikan, Barak Obama, tha se në vend të dhënies së parave për vendet që kanë nevojë, Uashingtoni do të përpiqet që ndihmën ta drejtoj kah vendet që po tregojnë qeverisje të mirë, sundim të ligjit, institucione transparente dhe respektim të të drejtave të njeriut.

“Por, qëllimi i zhvillimit, ajo që më së shumti duhet tash, është krijimi i kushteve ku ndihma më nuk do të jetë e nevojshme. Ne do të synojmë partnerë, që dëshirojnë ta ndërtojnë kapacitetin e vet për të mirën e popujve të tyre. Ne do të synojmë zhvillim, që është i qëndrueshëm”, tha presidenti Obama.

Sipas tij, vendet që janë në tranzicion nga lufta në paqe dhe nga autoritarizimi në demokraci, do të ishin kandidatë idealë për mbështetje të Shteteve të Bashkuara.

Barak Obama tha se Shtetet e Bashkuara edhe mëtutje synojnë që të udhëheqin si kontribuesi më i madh botëror i ndihmës emergjente për shtetet në nevojë.

Mëtutje, ai ka theksuar përpjekjen globale për luftimin e korrupsionit, që nga Kombet e Bashkuara ishte përcaktuar se ishte barriera më e madhe e vetme për prosperitet në shumë vende.

“Për këtë arsye ne tash kërkojmë që kompanitë e naftës, të gazit dhe ato të minierave, që e kanë rritur kapitalin në Shtetet e Bashkuara, t’i zbulojnë të gjitha pagesat, që ata i bëjnë te qeveritë e jashtme. Për këtë arsye kam kërkuar nga grupi G-20, vënien e korrupsionit në agjendën e tij, për t’i penguar zyrtarët e korruptuar, që të vjedhin nga populli i tyre dhe ta pengojnë zhvillimin e vendeve të tyre”, tha presidenti Barak Obama.
XS
SM
MD
LG