Të paktën 19 njerëz u vranë dhe rreth 70 të tjerë u plagosën në luftimet e sotme ndërmjet militantëve islamistë dhe trupave pro-qeveritare afër kryeqytetit të Somalisë, Mogadishu.
Përleshje të ashpra u raportuan në disa pjesë të qytetit.
Grupi militant al-Shabab, i lidhur me Al Kaidën, muajve të fundit e ka intensifikuar fushatën kundër qeverisë kalimtare somaleze, e cila mbështetet nga Kombet e Bashkuara.
Militantët po përpiqen që ta rrëzojnë qeverinë dhe të vendosin ligjin islamik në vend.
Më shumë se 7 mijë paqëruajtës të Unionit Afrikan janë të vendosur në Mogadishu, ku kujdesen për sigurinë e qeverisë së Somalisë.