Ndërlidhjet

Islamabad: E dënuara në SHBA, të kthehet në Pakistan


Autoritetet e Pakistanit janë shprehur të “dëshpruara dhe të pakënaqura”, me vendimin e një gjykate amerikane për dënimin e një shkencëtareje pakistaneze me 86 vjet burgim, për tentim vrasjeje të oficerëve të Shteteve të Bashkuara.

Autoritetet pakistaneze thanë sot se do të punojnë që e dënuara Aafia Siddiqui, të kthehet në shtëpinë e saj.

Kryeministri i Pakistanit, Jusuf Raza Gilani, tha se ajo është “e bija e kombit” dhe premtoi se do të bëjë fushatë për kthimin e saj në Pakistan.

Aafia Siddiqui, 38 vjeçare, që në Shtetet e Bashkuara e ka mbaurar shkollimin e lartë, ishte zënë në Afganistan në vitin 2008, ndërsa mbrëmë një gjykatë në Shtetet e Bashkuara e shpalli fajtore lidhur me marrjen e një arme nga një oficer amerikan dhe përpjekje për të shtënë kundër personelit amerikan, që synonte hetime pas zënies së saj.

Lajmi për dënimin e saj në Shtetet e Bashkuara, sot ka shkaktuar protesta në qytetin e saj Karaçi në Pakistan.

Qeveria e Pakistanit është nën presion, veçanërisht nga grupet islamiste dhe ato të ekstremit të djathtë, se ka dështuar që ta siguroj lirimin e saj.
XS
SM
MD
LG